Gonxhja: Teatri Kombëtar 627% më shumë bileta dhe 552% më shumë të ardhura. Cirku Kombëtar 591% më shumë të ardhura, pavarësisht kushteve të vështira

Ministri për Turizmin, Kulturën dhe Sportin, Blendi Gonxhja, deklaroi në një konferencë për media se institucionet kulturore në vend kanë shënuar rritje të fortë të performancës gjatë periudhës janar-shkurt 2026, si në pjesëmarrjen e publikut ashtu edhe në të ardhura.
Ai theksoi se rezultatet janë veçanërisht të dukshme në Teatrin Kombëtar, ku, sipas tij, “për periudhën janar-shkurt kemi një rritje prej 627% të numrit të biletave të shitura dhe 552% të të ardhurave, çka tregon qartë një përmirësim të ndjeshëm të menaxhimit dhe një interes shumë më të madh të publikut, ndërsa synimi ynë është që kjo rritje të shoqërohet me shfaqje të një niveli sa më të lartë artistik”.
Sipas Gonxhes, edhe Teatri Eksperimental ka shënuar progres të dukshëm, pasi “ka një rritje prej 67% të biletave dhe 155% të të ardhurave, duke reflektuar një zgjerim të audiencës dhe një ofertë artistike më tërheqëse për publikun”.
Ai shtoi se rritje e konsiderueshme është regjistruar edhe në sektorin e kulturës për fëmijë, duke theksuar se “në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë kemi një rritje prej 188% të të ardhurave, që tregon një interes në rritje dhe një angazhim më të madh të familjeve në aktivitetet kulturore”.
Ministri u ndal edhe te Cirku Kombëtar, për të cilin tha se “kemi një rritje prej 591% të të ardhurave, edhe pse ky institucion vazhdon të funksionojë në kushte të vështira, pa një qendër të dedikuar dhe me infrastrukturë të përkohshme”.
Ai bëri të ditur se po punohet për përmirësimin e kushteve, duke theksuar se “jemi në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës për sigurimin e një terreni dhe për ndërtimin e një çadre të re, si dhe të ambienteve të stërvitjes dhe hapësirave administrative për trupën”.
Gonxhja nënvizoi se, pavarësisht këtyre kushteve, performanca mbetet pozitive, pasi “edhe në situatën aktuale kemi një rritje prej 117% të biletave, çka tregon potencialin e madh që ka ky institucion kur mbështetet siç duhet”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





