Hapen dy klasa mësimore në QSUT për pacientët e vegjël

Për herë të parë, pjesë e infrastrukturës spitalore në QSUT janë bërë edhe mjediset dedikuar shkollës për të asistuar ata fëmijë që kalojnë një kohë më të gjatë në Spitalin Pediatrik. Janë hapur dy klasa mësimore, të pajisura me teknologjinë digjitale dhe mjete të nevojshme didaktike, falë modelit që ka sjellë Fondacioni izraelit SASA Setton.
Përmes një stafi të dedikuar mësuesish, në dy klasat, njëra multidisiplinare dhe tjetra një klasë-studio arti, do t’u ofrojmë fëmijëve të shtruar në spital edukim mësimor si dhe kurrikula të tjera mbështetëse për mirëqenien e tyre emocionale sipas grupmoshës.
Kryeministri Edi Rama vizitoi Spitalin Pediatrik të Specialiteteve në QSUT, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, për të parë nga afër investimin më të ri.
“Tashmë gati të dyja klasat e mësimit që kemi hapur falë ndihmës së çmuar të Sasa Setton Foundation, ku kemi këtu dhe kryetarin e fondacionit bashkë me ekipin. Dy klasa, të cilat janë, njëra si klasë kolektive për mësimin përmes teknologjisë, por edhe për mësimin sipas kurrikulës së shkollës për fëmijët që janë shtruar pranë spitalit pediatrik dhe një klasë arti për të gjithë programin jashtë mësimor. Kemi vendosur 4 mësues të sistemit arsimor dhe një mësues që është i përhershëm në pediatri, mësuesi i mësimit fillor. 4 mësues, të cilët do jenë pjesë e shkollës të ndërtuar tashmë në spitalin peditarik. Të dyja klasat që tashmë janë funksionale do të ofrojmë mësim, por dhe argëtim për fëmijët, të cilët trajtohen në këtë spital. Kapaciteti është i mjaftueshëm. Jemi përgatitur dhe për mësimin përmes teknologjisë dhe përmes librave, kurrikulës së shkollës, por edhe për mësimin e personalizuar, që falë trajnimit që fondacioni Sasa Setton është duke na ofruar nëpërmjet gjithë metodologjisë së re”, tha Manastirliu.
Së bashku me Kryeministrin në këtë vizitë ishin edhe drejtues të Fondacioni izraelit SASA Setton, të cilët falënderuan ndër të tjera për bashkëpunimin e ofruar nga Ministritë e përfshira në këtë projekt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




