Hapen regjistrimet për klasat e para dhe të dhjeta, ministrja Kumbaro: Respektoni afatet dhe rregullat e regjistrimit

Arsim | 3 muaj më parë

Kanë nisur sot aplikimet për regjistrimet në klasën e parë dhe të dhjetë përmes  platformës e-Albania. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një videomesazhi, theksoi respektimin e afateve dhe rregullave për regjistrimin me qëllim që bashkitë dhe zyrat arsimore të planifikojnë punën për vitin e ri shkollor.

“Sot është data 6 korrik dhe ka filluar regjistrimi i fëmijëve për vitin shkollor 2026-2027. Afati është 6 korrik deri në 31 korrik, në E-Albania të gjithë prindërit duhet të fillojnë procesin e regjistrimit në shkollë. Me shumë rëndësi për fëmijët që regjistrohen për herë të parë në klasë të parë, por edhe ata që kalojnë nga cikli 9-vjeçar në shkollën e mesme, pra në klasën e 10-të, është shumë e rëndësishme të ndiqni udhëzimet në E-Albania. Duhen respektuar rregullat për të regjistruar fëmijët në ato shkolla që janë përcaktuar pranë vendbanimit tuaj. Është shumë e rëndësishme, shumë e dobishme, për të bërë planifikimin e orëve të mësimit, e shkollave, si për bashkitë, ashtu edhe për Zyrat Vendore Arsimore që kanë nisur punën për vitin e ardhshëm.

Pra edhe një herë, duke filluar nga sot, data 6 korrik, deri në 31 korrik, portali do të jetë i hapur. Keni këto javë për të vendosur se cila është zgjedhja për fëmijët tuaj”,  deklaroi Kumbaro.

Sistemi do të qëndrojë i hapur deri më 31 korrik për regjistrimet në kasën e parë dhe regjistrimet në gjimnaz ose shkollë të mesme të orientuar.

Për të gjithë nxënësit që dëshirojnë të ndjekin gjimnazin me kohë të pjesshme regjistrimet do të jenë të hapura deri më 11 shtator.  Kurse nxënësit që dëshirojnë të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale, kanë afat datën 30 shtator përmes portalit eAlbania.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme