Haradinaj akuzon Kurtin për bllokimin e Ligjit për ‘Specialen’: Po e çon vendin për herë të katërt në zgjedhje

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke mos mundësuar përfundimin e procesit të miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Haradinaj e cilësoi si të papranueshme që ligji të mbetet i papërfunduar në një moment që, sipas tij, është kritik për mbrojtjen e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ligji për Specialen nuk është i një partie, por i 91 deputetëve të kësaj legjislature që e kanë votuar në lexim të parë. Është shumë e pandershme që të lihet në gjysmë ky ligj, duke e ditur rëndësinë e tij dhe momentin kritik për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së”, deklaroi Haradinaj.
Ai u bëri thirrje deputetëve që të bashkohen për përfundimin e procesit ligjor, duke theksuar se një veprim i tillë është përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe historisë së vendit.
“Ky ligj është i 91 deputetëve që e kanë votuar në lexim të parë. Është koha që të bashkohemi dhe të mos turpërohemi para historisë. Kështu do të duhej të ishte. Mirëpo, siç e pamë sot, ranë maskat”, tha ai.
Haradinaj akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Kurti për situatën e krijuar, duke pretenduar se ai ka dëmtuar procesin e miratimit të ligjit dhe interesat e vendit.
“Kurti e kurthoi edhe ligjin edhe vendin. Kurti i dha një goditje të rëndë Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe UÇK-së, duke e lënë në gjysmë në momentin më kritik”, u shpreh deputeti i AAK-së.
Sipas Haradinajt, mosmiratimi i ligjit mund ta çojë Kosovën drejt një tjetër procesi zgjedhor, për të cilin ai mban përgjegjës kryeministrin.
“I njëjti Kurti që tri herë para kësaj here e ka çuar vendin në zgjedhje, po e bën sërish. Kjo është hera e katërt që po e çon vendin në zgjedhje. I njëjti person, i njëjti vendimmarrës”, deklaroi ai.
Më tej, Haradinaj përdori tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë, duke e akuzuar se po punon kundër interesave të shtetit të Kosovës.
“Kurti po punon ta zhbëjë Kosovën, por nuk do t’ia arrijë. Kosova është më e madhe se sa ky keqbërës patologjik”, tha Haradinaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



