Helmimi i 64 kursantëve të Akademisë së Sigurisë, AKU merr mostrat e ushqimit, pezullohet aktiviteti i catering-ut deri në daljen e analizave

Aktualitet | 3 muaj më parë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar aktivitetin e kompanisë catering, pasi 64 studentë dyshohet se u helmuan nga ushqimi në Akademinë e Sigurisë. AKU njofton se aktiviteti i kompanisë SORI-AL do të mbetet e pezulluar deri në publikimin e rezultateve laboratorike, të cilat pritet të përcaktojnë nëse ushqimi ka qenë shkaku i problemeve shëndetësore të kursantëve.

Sipas AKU-së, inspektimi i kryer në ambientet e Akademisë së Sigurisë konstatoi se aktiviteti ushtrohej në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe me dokumentacion të rregullt.

Megjithatë, për të zbardhur shkaqet e dyshuara të helmimit, u morën 14 mostra ushqimore, përkatësisht 7 mostra nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës, të cilat u dërguan për analiza mikrobiologjike pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

Përveç 14 mostrave të ushqimeve të gatuara, inspektorët morën edhe 5 mostra tampon nga ambientet, pajisjet dhe sipërfaqet e punës për të verifikuar nivelin e higjienës. Të gjitha mostrat janë dërguar në laboratorët e ISUV për analizim.

“Nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë Akademisë së Sigurisë,Sauk si dhe në Garnizoni “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura. Nga verifikimet në Akademinë e Sigurisë,Sauk u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të përshtatshëm. U krye kampionimi i 14 mostrave (7 kampione nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës nga kampionet në ruajtje të produkteve të gatshme të përpunuara pranë Garnizonit Skenderbej, Tiranë, dhe të konsumuara me datë 24.06.2026, pranë Akademisë së Sigurisë Sauk) për analizim për treguesit mikrobiologjikë pranë laboratorit të ISUV.

Në vijim të ndjekjes së gjurmuueshmërisë u krye inspektimi në subjektin “Garnizoni Skenderbej, Tiranë”, ku është kryer përpunimi i produkteve.

Në këto ambiente u konstatuan kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues. Gjatë procedurës u krye marrja e 14 mostrave në ruajtje të ushqimeve të gatuara nga vakti i drekës dhe darkës të datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe të pajisjeve, të cilat u dërguan për analizim pranë ISUV.

Në adresën Garnizoni Skënderbej, Tiranë, u mor masë me ndërprerje aktiviteti deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjatë këtyre procedurave inspektimi ishin prezentë edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë (të cilët morën tampone ambientale në ambiente, pajisje dhe punonjës) ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, Tiranë.”, thuhet në njoftim.

64 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar. Ky është rasti i dytë brenda pak muajve që kursantë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se preken nga helmimi ushqimor, çka ka ngritur shqetësime mbi kontrollin e sigurisë së ushqimit në institucion.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme