Himara çel sezonin turistik, kryebashkiaku Tavo pritshmëri për shifra rekord turistësh

Aktualitet | 5 muaj më parë

Himara ka përmbyllur tre ditë festimesh që shënuan çeljen zyrtare të sezonit turistik, me një finale spektakolare që mblodhi qindra vizitorë. Mbrëmja e fundit kulmoi me një shfaqje mbresëlënëse dronësh, ku qindra pajisje ndriçuan qiellin, duke krijuar forma artistike që mahnitën publikun.

Në skenë u ngjit edhe kryetari i bashkisë, Vangjel Tavo, i cili theksoi ambicien për një sezon me shifra rekord turistësh.

Festimet vijuan me ndarjen e çmimeve për fotografinë më të mirë, ndërsa atmosfera u përmbyll me koncertin festiv, ku performoi këngëtari i njohur grek, Kostandinos Argiros.

Ndërkohë, ditët pararendëse sollën në skenë emra të njohur të muzikës si Elita 5, Ronela Hajati dhe Alice, performanca artistike, akrobaci ekstreme dhe instalacione kreative.

Një nga momentet më të veçanta ishte gatimi “live” i një peshku ton 120 kilogramë, një eksperiencë unike që u kthye në atraksion për pushuesit.

Kështu zgjodhi të prezantohet Himara duke ardhur në këtë sezon veror me një ofertë të pasur eventesh dhe pritshmëri të larta për turizmin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme