Holanda rikthehet në Eurovision 2027 , transmetuesi publik NPO garanton proces të pavarur përzgjedhjeje

Holanda do të rikthehet në Festivalin e Këngës në Eurovision në vitin 2027, duke konfirmuar pjesëmarrjen me një artist holandez pas një mungese të shkurtër.
Transmetuesi publik NPO njoftoi se do të marrë përsipër organizimin dhe transmetimin e pjesëmarrjes së vendit, pas tërheqjes së kanalit Avrotros në gusht.
Ky i fundit kishte deklaruar se Eurovision nuk mund të konsiderohej më “neutral” politikisht, duke iu referuar reagimeve të shkaktuara nga lufta në Gaza.
Në deklaratën e saj, NPO theksoi se një panel i pavarur ekspertësh do të mbikëqyrë me kujdes procesin e përzgjedhjes së artistit që do të përfaqësojë Holandën.
“Televizioni publik holandez do të marrë pjesë përsëri në Festivalin e Këngës në Eurovision me një artist holandez. Një panel i pavarur ekspertësh do të mbikëqyrë me kujdes procesin e përzgjedhjes së artistit,” – u shpreh NPO.
Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU), organizatori i Eurovisionit, ka ndërmarrë masa të reja në lidhje me rregulloret e konkursit, për të garantuar karakterin e tij unifikues.
NPO pranoi se festivali ka shkaktuar “emocione të përziera” në Holandë, por theksoi se i ka kërkuar EBU-së të ripromovojë frymën e bashkimit që e ka karakterizuar gjithmonë këtë ngjarje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




