RTSH me identitet të ri grafik, të hënën prezanton imazhin e ri që bashkon shqiptarët kudo që janë
Nga e hëna (21 shtator), RTSH prezanton një paketë të re grafike dhe një identitet të ri vizual, të ndërtuar mbi një element themelor të vetë natyrës së transmetimit: sinjalin.
Identiteti i ri vizual vendos në qendër një linjë të vazhdueshme, e cila simbolizon lëvizjen, transmetimin dhe vijueshmërinë. Linja përshkon logon dhe kulmon në formën e rrethit, duke krijuar një shenjë dinamike që lidhet drejtpërdrejt me rolin e RTSH-së si transmetues publik.
Një element i veçantë shfaqet në pjesën “SH”, ku linja merr formën e një pulsimi. Ky element përfaqëson sinjalin që përhapet përtej një pike të vetme dhe shtrirjen e RTSH-së te shqiptarët, brenda vendit dhe në diasporë.

Një lidhje me historinë e RTSH-së
Koncepti i logos së re ruan një lidhje me historinë vizuale të transmetuesit publik shqiptar. Ai merr frymëzim nga një prej varianteve të hershme të logos së TVSH-së, duke rikthyer idenë e sinjalit dhe duke e interpretuar atë përmes një gjuhe të re dhe bashkëkohore.
Në këtë mënyrë, identiteti i ri nuk synon të shkëputet nga trashëgimia e RTSH-së, por ta përdorë atë si pikënisje për një sistem vizual të menduar për të tashmen dhe të ardhmen.
Nga logoja te një sistem i ri grafik
Paketa e re grafike e RTSH-së ndërtohet rreth vetë logos. Rrethi i integruar në pjesën “SH” shndërrohet në pikënisjen e sistemit të animacionit dhe interpretohet si një valë sinjali, e lidhur me transmetimin, lëvizjen dhe komunikimin.
Zhvillimi i identitetit on-air ka përfshirë konceptimin e gjuhës së re vizuale, krijimin e elementeve 3D, si dhe realizimin e animacioneve dhe renderave që ndërtojnë universin grafik të RTSH-së.
Një pjesë e rëndësishme e punës lidhet edhe me siglat e emisioneve, me vëmendje të veçantë te sigla kryesore hapëse e edicioneve të lajmeve, si një prej elementeve më të dallueshme të identitetit televiziv.

Nga koncepti i sinjalit burojnë format, lëvizjet dhe dinamika e elementeve të reja grafike. Sinjali zgjerohet, transformohet dhe ndërvepron me hapësirën, duke krijuar një lidhje të vazhdueshme mes logos dhe botës së transmetimit.
Kështu, identiteti i ri nuk trajtohet thjesht si një grup grafikash të reja, por si një sistem vizual me logjikën dhe gjuhën e vet. Logoja, vala e sinjalit, hapësirat 3D, drita, materialet dhe lëvizja janë konceptuar si pjesë të së njëjtës gjuhë vizuale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




