Hungari/ Nën hetim për trafikim njerëzish, ndalohet vëllai i Viktor Orban, ish-kryeministri: Është hakmarrje politike

Botë | 1 minutë më parë

Vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, Aron Orban, dyshohet se është ndaluar nga policia në kuadër të një hetimi për trafikim të qenieve njerëzore. Lajmi u bë publik nga kryeministri aktual i Hungarisë, Peter Magyar, i cili iu referua raportimeve të mediave vendase, ndërsa autoritetet konfirmuan një operacion me disa të arrestuar në Budapest dhe në zonën përreth.

Magyar bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se, sipas informacioneve të publikuara në media, vëllai i ish-kryeministrit ishte ndaluar nën dyshimin për përfshirje në trafikimin e njerëzve. Fillimisht, lajmi u raportua nga portali Kontroll, ndërsa autoritetet ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse Aron Orban është mes personave të ndaluar.

Policia hungareze njoftoi se disa persona janë arrestuar në Budapest dhe në dy qytete të rajonit të Pestit, në kuadër të dy procedimeve penale në vijim. Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në banesat e personave nën hetim.

Në aksion është përfshirë edhe Qendra Kundër Terrorizmit (TEK), agjentët e së cilës kanë ndërhyrë në një pronë në Fótliget, jashtë Budapestit, e lidhur me një kompani që i atribuohet Aron Orbanit.

Drejtoresha e Zyrës Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive, Anna Unger, nuk e konfirmoi dhe as e mohoi përfshirjen e vëllait të ish-kryeministrit, por bëri të ditur se institucioni kishte ndërmarrë veprime të tjera në kuadër të një çështjeje ku ai përmendet. Sipas saj, më shumë detaje do të bëhen publike në vijim.

Ndërkohë, Viktor Orban ka reaguar ndaj raportimeve, duke e cilësuar veprimin si një përpjekje për hakmarrje politike dhe jo si një proces për vendosjen e përgjegjësisë.

“Ky është një diversitet për të larguar vëmendjen. Ajo që po ndodh në Hungari nuk ka të bëjë me përgjegjësinë, por me një hakmarrje politike”, deklaroi ish-kryeministri.

Ai pretendoi se qëllimi është eliminimi i kundërshtarëve politikë dhe vendosja e një sistemi njëpartiak, duke shtuar: “Objektivi jam unë. Vëllai im i vogël është thjesht një mjet në këtë lojë të pistë”.

Ngjarja vjen gjashtë muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë së drejtuar nga Peter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e prillit duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit. Magyar kishte premtuar çmontimin e sistemit të ngritur gjatë qeverisjes së paraardhësit të tij dhe luftën kundër korrupsionit.

Hetimet kanë përfshirë edhe disa figura të ish-pushtetit. Sipas raportimeve, tre ish-ministra ndodhen aktualisht në paraburgim, mes tyre Gyorgy Matolcsy, i cili drejtoi Bankën Qendrore të Hungarisë për 12 vite dhe dikur konsiderohej një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Viktor Orbanit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme