I jepet lamtumira e fundit Alexey Navalnyt, nderohet nga liderët e BE-së: Mbetet frymëzim për rusët

Liderët e Bashkimit Evropian nderuan kreun e opozitës ruse Alexey Navalny, duke mbajtur homazhe për të. Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shprehu ngushëllime familjes dhe miqve të Navalny-t në një postim në X.
Ai tha se ambasadori i BE-së në Rusi është në mesin e disa diplomatëve evropianë që marrin pjesë në funeralin e tij.
“Besimet e Navalnyt nuk do të zhduken – idetë nuk mund të torturohen, helmohen apo vriten. Ai mbetet një frymëzim për shumë njerëz në Rusi dhe më gjerë”, shkroi ambasadori i BE-së në Rusi.
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, shkroi në X: “Putin u përpoq të heshtte Alexey Navalny. Por bota po shikonte. Në ditën e funeralit të tij, ne kujtojmë shpirtin e tij të sfidës përballë brutalitetit nga regjimi rus dhe guximin e tij për t’iu kundërvënë korrupsionit. Ne duhet të vazhdojmë t’i kërkojmë llogari Rusisë”
Ambasada e Polonisë në Rusi shkroi se ambasadori i saj në Rusi ishte një nga disa që mori pjesë në shërbim dhe gjithashtu tha se policia ruse po bllokonte vajtuesit të hynin në kishë.
“Policia bllokon hyrjen e kishës ortodokse. Ambasadori Krajeëski në mesin e kolegëve nga Zelanda e Re, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Australia. Turma njerëzish po përpiqen t’i japin lamtumirën e fundit liderit të opozitës. R.I.P”, thuhet në të.
Kancelari gjerman Olaf Scholz lavdëroi mijëra civilë rusë që po nderojnë Navalnyn.
“Alexey Navalny e pagoi me jetën e tij luftën e tij për demokraci dhe liri. Pas vdekjes së tij, rusët e guximshëm po mbajnë trashëgiminë e tij: shumë prej tyre ishin në funeralin sot dhe morën një rrezik të madh – për lirinë”, shkroi Scholz.
Ministria e Jashtme e Republikës Çeke tha se ambasadori i saj mori pjesë në funeralin e Navalnyt, duke shkruar se Republika Çeke “qëndron me të gjithë rusët që nuk kishin frikë të nderonin kujtimin e Alexey Navalny. Ata e bënë të qartë se nuk janë indiferentë ndaj situatës në Rusia”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




