IEA përshpejton lëshimin të rezervave të naftës në treg për të ulur çmimet e karburantit

Botë | 38 minuta më parë

Qeveritë anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) kanë shprehur mbështetjen e tyre për përshpejtimin e lëshimit të rezervave të naftës në treg, në një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve të karburantit të shkaktuar nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit.

Sipas Drejtorit Ekzekutiv të IEA-së, Fatih Birol, qeveritë konfirmuan përkushtimin e tyre ndaj Veprimit Kolektiv të marsit 2026, ku vendet anëtare ranë dakord të nxjerrin 400 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës për të mbuluar ndërprerjet e furnizimit të shkaktuara nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit.

Njoftimi vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se do të bllokonte eksportet e dizelit amerikan nëse vendet e Grupit të Shtatë (G7) nuk hidhnin karburant në tregje.

Pas këtij presioni, G7 ra dakord të premten të lëshonte 100 milionë fuçi naftë.   Në një deklaratë zyrtare, Birol bëri me dije se rreth 325 milionë fuçi naftë janë hedhur tashmë në treg në kuadër të marrëveshjes dhe shtoi se lëshimi i pjesës së mbetur të zotuar do të sjellë edhe rreth 100 milionë fuçi të tjera në treg.

Birol theksoi gjithashtu se disa vende anëtare të IEA-së kanë nxjerrë volume edhe më të mëdha se zotimet e tyre fillestare. Ai theksoi se vendet e IEA-së ruajnë ende nivele të larta të rezervave publike të emergjencës — të barabarta me rreth 1.1 miliardë fuçi, ku përfshihen mbi 200 milionë fuçi dizel.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme