Inflacioni në shtator- Çmimet rriten me 2.9%, ushqimet dhe transporti me ndikimin kryesor

Ekonomi | 32 minuta më parë

Çmimet vijojnë të shtrenjtohen krahasuar me një vitë më parë, pavarësisht ngadalësimit të inflacionit në muajin shtator. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në shtator të 2026, Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit në 2.9% nga 2.4% që ishte në vitin 2025. Teksa inflacioni në muajin gusht të këtij viti shkoi në 3.2%.

Kontributin më të madh e dhanë ushqimet dhe pijet joalkoolike, me 0.96 pikë përqindjeje, të ndjekura nga transporti me 0.81 pikë dhe qiratë me 0.54 pikë përqindjeje.

Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, rritjen më të lartë e regjistroi transporti, me 12.4%. Shtrenjtimi u vu re edhe te argëtimi dhe kultura, me 5.9%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën mesatarisht me 2.8%.

Brenda grupit të ushqimeve, peshku u shtrenjtua me 9.6%, perimet me 7.9% dhe mishi me 4.4%. Në të kundërt, veshjet dhe këpucët, si dhe informacioni dhe komunikacioni, shënuan ulje të lehta të çmimeve.

Megjithëse inflacioni mbetet brenda objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë, pritshmëritë janë për presione të reja në muajt e ardhshëm. Më 7 tetor, guvernatori paralajmëroi se çmimet mund të rriten gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm, ndërsa Banka po shqyrton mundësinë e shtrëngimit të politikës monetare përmes rritjes së normës bazë të interesit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, presionet e fundit janë nxitur kryesisht nga produktet e importit, shtrenjtimi i të cilave nuk është kompensuar plotësisht nga zhvlerësimi i valutave.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme