Integrimi- Shqipëria, taksa dy herë më të larta për duhanin, eksperti amerikan: Duhet të forconi zbatimin e ligjit

Aktualitet | 4 muaj më parë

Porcesi i Integrimit e detyron Shqipërinë të harmonizojë politikat e saj të kontrollit të duhanit me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian.

Një nga kërkesat kryesore lidhet me rritjen e ndjeshme të taksave akcizë mbi produktet e duhanit, një masë që sipas ekspertit amerikan Profesor Jeffrey Drope, kërkues dhe ekspert në fushën e kontrollit të duhanit dhe politikave fiskale, nga Shkolla e Shëndetit Publik “Johns Hopkins” Bloomberg, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë si në të ardhurat buxhetore, ashtu edhe në shëndetin publik.

 “Shqipëria do të duhet, mbi të gjitha, të rrisë ndjeshëm taksat akcizë mbi produktet e duhanit. Kjo do të sjellë përfitime shumë të mëdha për vendin, përmes një rritjeje të konsiderueshme të të ardhurave nga taksat, të cilat më pas mund të orientohen drejt sektorëve të rëndësishëm si shëndetësia dhe arsimi. Nga ana tjetër, kjo masë do të ndikojë edhe në uljen e konsumit të duhanit në të gjithë vendin”, tha ai.

Sa duhet të jetë kjo taksë?

“Me shumë gjasa, gjatë pesë deri në shtatë viteve të ardhshme, do t’ju duhet të paktën të dyfishoni taksat, sepse kjo do të ishte e nevojshme për të arritur minimumin e kërkuar nga Bashkimi Europian dhe për të përmbushur këto standarde”, tha ai.

Eksperti amerikan rekomandon fort edhe forcimin e zbatimit të ligjit për ndalimin e duhanit në ambiente publike që në Shqipëri mbetet i paqëndrueshëm dhe jo gjithmonë efektiv si dhe paketimet ndryshe të duhanit.

 “Përtej rritjes së taksave, do të thosha se ndërhyrjet më të suksesshme që kemi parë janë ambientet publike pa duhan. Pra, zbatimi real dhe rigoroz i ndalimit të duhanit në restorante dhe bare. Për shembull, kam qenë në restorante dhe bare në Shqipëri dhe kam vënë re se zbatimi i ligjit është disi i paqëndrueshëm, ndoshta jo aq i fortë sa duhet, sidomos për të mbrojtur njerëzit nga tymi pasiv, pra tymi i duhanit të të tjerëve.

Ndërhyrja tjetër që do të rekomandoja është vendosja e paralajmërimeve shumë të mëdha shëndetësore dhe paketimi standard i produkteve të duhanit, në mënyrë që paketat e cigareve të mos kenë logo, shenja apo ngjyra tërheqëse, por të jenë të thjeshta dhe uniforme. Ajo që kemi parë është se, edhe në këtë rast, numri i fëmijëve dhe të rinjve që përdorin produkte duhani bie ndjeshëm”, tha eksperti amerikan.

Vendet e Bashkimit Europian që kanë rritur ndjeshëm taksat mbi duhanin gjatë viteve të fundit kanë regjistruar ulje të fortë të konsumit dhe kanë frenuar nisjen  e duhanpirjes tek të rinjtë dhe fëmijët. Në SHBA thotë prof.Drope mosha ligjore në nivel federal për blerjen e produkteve të duhanit është 21 vjeç.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme