1600 aplikime për paketën e maleve, kryesisht për agroturizëm dhe bujtina. Zonat malore përparësi zhvillimi
Rreth 1mije e 600 persona kanë shprehur interes për t’u regjistruar në vetëm shtatë ditët e para të thirrjes për investime në skemën e paketës së maleve.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, e cilësoi këtë një tregues të qartë të interesit të lartë për programin. Ai theksoi se ka një interes të madh si nga investitorët vendas, ashtu edhe të huaj.
“Paketa e Maleve është një iniciativë ligjore e qeverisë për të mundësuar zhvillimin e ekonomisë malore, e cila për një periudhë të gjatë ka mbetur e pazhvilluar për shkak të mungesës së titujve të pronësisë. Të gjithë individët e interesuar mund të shprehin interesin për të zhvilluar një parcelë apo një zonë të caktuar në kuadër të zbatimit të këtij ligji. Deri tani janë rreth 1600 aplikime për shprehje interesi që janë bërë në zona të ndryshme të Shqipërisë“, tha Musabelliu.
Sipas tij, më të kërkuarat janë fushat e agroturizmin, ndërtimit të bujtinave dhe bujqësisë. Këto tregojnë një orientim të investimeve drejt zonave rurale dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“Nga aplikimet që na kanë ardhur, më shumë interes paraqitet për agroturizmin, blegtoria, bujtinat si dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre. Ky projektligj i jep mundësi njësoj si qytetarëve shqiptare që jetojnë brenda vendit apo atyre që kanë emigruar që të aplikojnë dhe të kenë një mundësi për të zhvilluar aktivitete ekonomike në zonat malore”, theksoi Musabelliu.
Programi është një nga politikat e reja që mbështet sipërmarrjet në zonat më pak të zhvilluara. Musabelliu nënvizoi se kjo nismë ka sjellë optimizëm dhe besim nga investitorët. Qeveria e konsideron këtë paketë si një instrument për rigjallërimin e zonave malore.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





