Interes për shkollën pyjore – Më shumë nxënëse vajza zgjedhin drejtimet Pyje dhe Përpunim Druri
Shkolla Teknike Pyjore “Kolë Margjini” në Shkodër po njeh rritje të interesit nga të rinjtë, sidomos nga vajzat, në të dy drejtimet që ofron: Pyje dhe Përpunim druri. Këtë vit shkolla ka regjistruar numër më të lartë nxënësish, duke konfirmuar vlerën që arsimi profesional po merr në tregun e punës.
Drejtoresha Albana Lleshaj thekson se disa prej avantazheve të shkollës janë transporti i siguruar, bursa e plotë për nxënësit dhe rrjeti i gjerë i bizneseve partnere, të cilat u krijojnë të rinjve mundësi reale punësimi.
“Fatmirësisht interesi këtë vit ka qenë shumë i lartë nga nxënësit. Ne patëm 45 nxënës të regjistruar vetëm për vitin e parë. Është për t’u përmendur që patëm një rritje të numrit të vajzave dhe çdo vit e më shumë numri i tyre po rritet. Fatmirësisht shkolla ofron shumë për nxënësit, ofron bursë, ofron rimbursim për transport, ofron akomodim në konvikt falas dhe të gjitha këto mundësi i japin një vlerë më të madhe shkollës. Gjithashtu edhe praktikat profesionale i bëjnë të gjitha në biznes dhe kjo është një vlerë e shtuar për shkollën dhe vetë ata, pasi e prekin punën konkrete me duart e tyre” – u shpreh drejtoresha, Albana Lleshaj.
Arsimi pyjor në Shkodër ka traditë të hershme, me fillesat që datojnë në vitin 1959, kur u hap Teknikumi Pyjor dyvjeçar. Nga viti 1963 ky institucion u shndërrua në shkollë të mesme katërvjeçare, duke formuar breza profesionistësh të fushës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





