Inxhinieritë, Mjekësia dhe Ekonomiku, fakultetet më të kërkuara nga maturantët. Listat e fituesve shpallen këtë javë
Universitetet këtë javë kanë nisur nga puna për përllogaritjen e pikëve, referuar rezultateve të shkollës së mesme, për të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për të vijuar studimet e larta.
Puna e institucioneve të arsimit të lartë do të finalizohet të martën, më 26 gusht, kur do të publikohen listat me emrat e kandidatëve fitues, e cila do të pasohet nga procesi i regjistrimit.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar (RRASH), Arjan Xhelaj, sqaron se ashtu si një vit më parë, edhe këtë vit më të kërkuarat rezultojnë programet inxhinierike dhe ato të mjekësisë.
“Kryesisht janë degët e inxhinierisë dhe informatikës, të cilat së bashku janë mbi 30 për qind e totalit të aplikimeve të maturantëve, të ndjekura nga Mjekësia dhe Infermieria, që së bashku i afrohen 30-përqindëshit. Në vend të tretë ngelet Ekonomiku, që është një degë klasike dhe ka kërkesë të hapur,” shprehet z. Xhelaj.
Tendenca e kërkesave për degët e mësuesisë prej disa vitesh vijon të mbetet e njëjtë, ndërsa kërkesa për programet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka pësuar rritje.
“Dihet numri i atyre që hyjnë dhe dalin në tregun e punës.E njëjta gjë vlen edhe për mësuesinë. Mësuesia ndër vite lëviz ndërmjet shifrës 7–8 për qind. Sivjet është 7,5 për qind. Te Fakulteti i Shkencave të Natyrës do të thoja që kemi kërkesë në rritje. Ka edhe programe të tilla, si Kimia farmaceutike, që ka arritur mbi 400 aplikime,” thotë drejtori i RRASH-it.
Xhelaj sqaron se edhe programet e reja që ofron Universiteti Bujqësor këtë vit rezultojnë të kërkuara, por patjetër që duhet parë në vijimësi edhe procesi i regjistrimit.
“Mbi 4.300 maturantë, pranë 25-përqindëshit, kanë përzgjedhur së paku një nga degët e Universitetit Bujqësor,” tregon z. Xhelaj.
Procesi i regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë parashikohet të përmbyllet këtë vit në fillim të muajit tetor.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





