Izraeli gati të godasë Libanin, ushtria izraelite miratoi planin operativ për të sulmuar Hezbollahun

Ndërsa tensionet rriten në kufirin mes Izraelit dhe Libanit, zyrtarët e lartë ushtarakë izraelitë thanë se kanë miratuar planet operative për një sulm ndaj grupit Hezbollah që mbështetet nga Irani. “Pas vlerësimit të situatës u miratuan planet operacionale për një sulm ndaj Libanit dhe u morën vendime për vazhdimin e rritjes së gatishmërisë së trupave në terren”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.
Vendimi erdhi pasi ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz paralajmëroi më parë Hezbollahun se do të shkatërrohej në rast se zgjeronte luftimet. “Ne jemi shumë afër momentit kur do të vendosim të ndryshojmë rregullat e lojës. Hezbollahu do të shkatërrohet dhe Libani do të goditet rëndë”, tha Katz, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij. Ndërkohë Emos Hokstain (Amos Hochstein), një këshilltar i lartë i Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xho Bajden, pas bisedimeve me liderët izraelitë, u takua të martën në Beirut me zyrtarë libanezë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike që të shmanget zgjerimi i luftës në Lindjen e Mesme.
Ai kërkoi shtensionim urgjent të situatës në kufirin Izrael- Liban. Përshkallëzimi i situatës në rajon erdhi pasi Hezbollahu publikoi një video, ku pretendon se janë pamje ajrore të bazave ushtarake në Izrael, përfshirë qytetin bregdetar të Haifas, që ndodhet vetëm 27 kilometra nga kufiri libanez. Sulmet ndërkufitare nga Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah, kanë ndodhur pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës në Gaza më 7 tetor dhe janë përshkallëzuar javët e fundit.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




