Kampet verore ofrohen në 47 shkolla publike, lojra dhe aktivitete argëtuese për 7500 fëmijë
Organizimi i kohës së lirë gjatë pushimeve mbetet një ndër shqetësimet kryesore të prindërve shqiptarë, të cilët vazhdimisht përpiqen të shmangin qëndrimin e tepruar të fëmijëve të tyre ndaj pajisjeve elektronike. Këtë vit, puna për ta duket se ka qenë më e thjeshtë, pasi 47 shkolla publike në Tiranë e Kamëz kanë ofruar shkollë verore, aktivitete argëtuese për fëmijët, si sporte të ndryshme, art, lojëra uji, kërcim, pikturë dhe kinema.
“Nëpërmjet lojërave, fëmijët kanë pasur mundësinë që jo vetëm të performojnë apo të luajnë, por mbi të gjitha të argëtohen, të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe të gjenden në një mjedis tërësisht ndryshe nga ai i gjithë vitit shkollor. Kanë pasur mundësi, si rrallë ndonjëherë, që të vizitojnë dhe të kenë ekskursione jashtë ambienteve të tyre shkollore. Ata kanë shkuar në Teatrin e Kukullave, kanë shkuar në kinematë e qytetit, kanë shkuar gjithashtu në Teatrin e Operas, kanë parë nga afër se si çdo element i përrallës, baletit apo një vepre operistike bëhet i mundur në prapaskenë”, deklaroi zëvendësministrja e Arsimit, Herida Duro.
Shkollat verore e nisin aktivitetin në orën 8:00 dhe e përfundojnë në orën 12:30, dhe gjatë këtyre orëve nxënësit mund të konsumojnë edhe vaktin ushqimor të përgatitur në shtëpi.
“Është gjykuar si mjaft e vlefshme dhe si pjesë e edukimit familjar dhe komunitar, që është po aq e rëndësishme, që prindërit të kujdesen për një ushqim të përzgjedhur për fëmijët e tyre, duke mos dashur që ata të blejnë gjëra të papërshtatshme jashtë zgjedhjes së familjes dhe dëshirave të vetë fëmijëve”, tha Duro.
Nga kampet verore të ngritura në institucionet arsimore përfitojnë 7,500 fëmijë, ndërsa janë angazhuar 12 mësues në çdo shkollë.
“E veçanta është që midis moshave nga klasa e parë deri në klasën e tetë, këtë vit u bashkohen edhe fëmijët e klasave të gjashta dhe të nënta, dhe në shumicën e rasteve kemi vërejtur që ata kanë qenë në fakt mentorët dhe edukatorët e më të vegjëlve gjatë gjithë këtyre klubeve dhe aktiviteteve që kanë ndodhur”, shtoi Duro.
Ofrimi i kampeve verore në shkollat publike pa pagesë është një zgjidhje për shumë prindër, të cilët u ofrojnë fëmijëve argëtim gjatë ditëve të verës, duke i shkëputur nga pajisjet elektronike.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





