Kanali kullues në Shtiqën të Kukësit, 13.8 milionë lekë për pastrimin e saj
Aq sa është e rëndësishme ujitja e tokave bujqësore, po aq e rëndësishme është edhe sistemi i kullimit të tyre nga ujërat e tepërta. Këtij procesi po i shërben edhe pastrimi i kanalit kullues në njësinë administrative Shtiqen.
Bashkia e Kukësit, përmes Ministrisë së Bujqësisë, ka vënë në dispozicion rreth 14 milion lekë të reja për pastrimin e këtij kanali me një gjatësi mbi 5 kilometra. Blerim Grosha, sipërmarrës i punimeve, thotë se ky proces është drejt përfundimit.
“Po bëjmë pastrimin e kanalit kullues dhe jemi drejt pwrfundimit. Kemi bërë edhe disa punimeve të urave për lidhjen e parcelave bujqësore dhe deri në fund të muajit do të përfundojnë”, tha ai.
Kanali kullues i Shtiqnit është ndërtuar dekada më herët, në kohën e ish-kooperativave bujqësore, dhe shërbente për bonifikimin dhe kullimin e më shumë se 850 hektarë toke bujqësore në fushën e Shtiqnit. Pjesë e këtij sistemi ishin edhe kanalet kulluese me sistem drenazhimi, të ndërtuara në sipërfaqet më të ulëta të tokës bujqësore në Shtiqën.
Kanali kullues nis në pikën kulmore dhe më të lartë të fushës, pranë aeroportit të Kukësit, aty ku grumbullohet një sasi e madhe uji pas reshjeve, dhe përfundon në afërsi të deltës së liqenit, në brigjet e lumit Luma. Një pjesë e kanalit kullues është ndërtuar me beton. Përgjatë tij janë ndërtuar mbi 6 ura, të cilat shërbejnë për kalimin e mjeteve bujqësore nga parcela në parcelë, në të dy anët e kanalit.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





