Kapet 80 kg kanabis “Gelato” nga Kanadaja në Portin e Durrësit. Droga me vlerë 1 mln euro do shpërndahej në Shqipëri dhe Kosovë. 3 në pranga, 2 në kërkim
Rreth 80 kilogramë kanabis i llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC dhe me vlerë tregu rreth 1 milion euro, janë sekuestruar në Portin e Durrësit në kuadër të operacionit policor “Anchor”.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar 3 shtetas nga Kosova, ndërsa 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, të dyshuar për trafikimin e lëndës narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më tej në Kosovë.
Gjatë kontrolleve në Portin e Durrësit, policia sekuestroi 127 pako me rreth 80 kg kanabis “Gelato”, si dhe 3 automjete, 5 telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.
Nga hetimet dyshohet se droga sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në një hapësirë të modifikuar posaçërisht në një automjet të porositur për blerje në Kanada. Pas mbërritjes në Shqipëri, dyshohet se lënda narkotike do të shpërndahej në Shqipëri dhe Kosovë.
Në pranga kanë rënë T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç dhe B. J., 40 vjeç, të tre shtetas kosovarë. Ata dyshohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada.
Sipas policisë, personat e përfshirë dyshohet se kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e drogës.
Hetimet vijojnë për lokalizimin e personave të tjerë të dyshuar dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




