Kërcënimi i sigurisë nga vinçat kinezë, SHBA planifikon miliarda për t’i zëvendësuar

Botë | 3 vite më parë

Qeveria amerikane pritet të investojë më shumë se 20 miliardë dollarë për të zëvendësuar vinçat ZPMC të prodhuar në Kinë, pasi përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Vendimi i fundit është pjesë e veprimeve të ndërmarra të mërkurën për të rritur mbrojtjen detare nga sulmet kibernetike.

Paratë për zëvendësimin e aparaturave do të merren nga paketa për infrastrukturën rreth 1 trilion dollarë, që u kalua me konsensus politik në vitin 2021. Qëllimi është prodhimi i vinçave nga një kompani amerikane me lidhje japoneze dhe do të jetë prodhimi i parë vendës në 30 vite.

“Ndiejmë se ka një rrezik të vërtetë strategjik këtu. Këta vinça, për shkak se lëvizin në masë kontejnerët brenda e jashtë postit, sikur ata të bllokohen prej një sulmi kriminal ose të merren me qira ose të kontrollohen nga armiku, kjo do të kishte impakt real në lëvizjen e mallrave brenda ekonomisë tonë dhe në lëvizjen e mallrave tona ushtarake në porte,” u shpreh Anë Nojberger (o. Anne Neuberger), zv.këshilltarja për sigurinë kombëtare për kiberteknologjinë.

Sipas ambasadës kineze në Uashington, pretendimet e palës amerikane janë “tërësisht paranojë”. “Të luash ‘kartën e Kinës’ dhe të hedhësh teorinë e ‘kërcënimit kinez’ është e papërgjegjshme dhe do të dëmtonte interesat e vetë SHBA-së,” tha zëdhënësi i ambasadës, Liu Pengiu (o. Pengyu).

Ushtria amerikane ka shprehur prej vitesh shqetësimin rreth sigurisë së vinçave dhe është përpjekur të evitojë përdorimin e vinçave kinezë në portet e vendit. “Kinezët mund të gjurmojnë origjinën, destinacionin dhe të dhëna të tjera të materialeve në kontejnerë për të përcaktuar ku do i dorëzojë ushtria,” deklaroi vitin e kaluar gjen. Zhaklinë Van Ovost (o. Jacqueline), shefja e Komandës së Transportit në SHBA.

Zyrtarët amerikanë tregojnë se sulmet ndaj infrastrukturës kritike nga hakerët kinezë mund të vënë në rrezik jetën e qytetarëve amerikanë dhe ky skenar mund të bëhet realitet në rastin e një konflikti për Tajvanin. Vinçat e prodhuar nga kompania ZPMC përmbajnë qarqe elektronike të sofistikuara, të cilat mund të regjistrojnë dhe gjurmojnë origjinën dhe destinacionin e kontejnerëve. Ata përbëjnë gati 80% të vinçave që përdoren për anijet në portet amerikane. /WSJ

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme