Korçë – Ndikimi i arsimit profesional në jetë, ritakimi pas 50 viteve i ish-maturantëve të 1975-ës
Pas 50 vitesh nga përfundimi i shkollës, ish-maturantët e vitit 1975 të Shkollës Profesionale Teknike në Korçë janë rikthyer në ambientet e saj për një takim plot emocione e kujtime.
Ata ndanë rëndësinë që ka pasur kjo shkollë në formimin profesional dhe jetën e tyre, duke theksuar se përzgjedhja e një zanati u ka dhënë stabilitet dhe sukses.
Me këtë rast, ata u bënë thirrje të rinjve të sotëm që të orientohen drejt arsimit profesional si një rrugë e sigurt drejt së ardhmes.
“Ka qenë një nga shkollat që kanë nxjerrë kuadro dhe specialistë shumë të devotshëm për të gjitha veprat që janë bërë në Shqipëri.“
“Kjo shkollë më ka ndihmuar shumë. E para e punës, kam punuar për një kohë të gjatë në SMT-në e Korçës. Kam qenë fillimisht brigadier në Repartin e Rigjenerimeve, pastaj si përgjegjës i mekanikëve të SMT-së.“
“Ju bëj thirrje të gjitha vajzave, edhe djemve. Kemi pasur edhe tornitore që kanë dalë nga këtu. Të regjistrohen në këtë shkollë, ta marrin dhe ta vënë byzylyk në dorë, se nuk do t’i lërë asnjëherë pa bukë.“
“U themi jo vetëm fëmijëve korçarë, por fëmijëve të gjithë Shqipërisë: të mos e lëmë Shqipërinë. Të punojë, të marrë zanat, sepse zanati është ai që të jep gjithmonë jetë.“
Ky takim i veçantë solli në vëmendje edhe njëherë rëndësinë e arsimit profesional si themel për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të suksesshme, duke e bërë atë një zgjedhje që meriton më shumë vëmendje nga brezat e rinj.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





