Krijohet Agjencia e Shërbimeve Arsimore, një hap drejt autonomisë dhe cilësisë në arsim

Një projektligj i ri synon krijimin e Agjencisë së Shërbimeve Arsimore, një institucion autonom nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës për arsimin. Ky hap shënon një reformë të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) aktuale, duke synuar përmirësimin e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës së shërbimeve arsimore në Shqipëri.
Qëllimi kryesor i këtij projektligji është përcaktimi i rregullave për organizimin, funksionimin, detyrat dhe kompetencat e kësaj agjencie. Misioni i saj do të jetë garantimi i interesit publik në ofrimin e shërbimeve në fushën e arsimit, profesioneve të rregulluara, vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe nxitja e përmirësimit të shërbimeve arsimore.
Objektivat kryesore të Agjencisë së re përfshijnë strategji të re afatgjatë bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, analizë të dhënash dhe kërkime shkencore për të informuar politikat arsimore, përputhje e strukturave për të mbështetur një agjenci efektive.
Objektiva të tjerë janë autonomi dhe stabilitet financiar përmes burimeve të ndryshme financiare dhe investimeve afatgjata, standarde ndërkombëtare (ISO 9001) dhe përmirësim i vazhdueshëm i cilësisë, vlerësim kombëtar i arsimit të integruar, informim i politikave arsimore përmes të dhënave, si dhe përmirësimi i rezultateve të nxënësve dhe mundësive të studentëve.
Problematikat aktuale
Aktualisht, funksionet e parashikuara për Agjencinë e re kryhen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), e cila operon si institucion në varësi të ministrit të Arsimit. Megjithatë, ku janë konstatuar disa problematika si mbivendosje ligjore që kanë të bëjnë me dy akte ligjore të ndryshme (Ligji nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë…” dhe Ligji nr. 10171/2009 “Për profesionet e rregulluara…”) që ngarkojnë institucione të ndryshme me të njëjtat funksione, siç është organizimi i provimit të shtetit për profesionet e rregulluara.
Konstatohet edhe mungesa e autonomisë. Statusi aktual i QSHA-së si institucion në varësi ka kufizuar autonominë e saj, duke penguar procese si modernizimi i Maturës Shtetërore, njohja e diplomave të huaja dhe matrikullimi i studentëve, për shkak të burokracisë.
Ekziston gjithashtu një nevojë thelbësore për vlerësim psikometrik të pyetjeve në testet e pranimit në mjekësi, provimet e shtetit dhe Maturën Shtetërore, për të siguruar standarde më rigoroze.
Nga ana tjetër, kërkohet përmirësim në dokumentimin dhe analizën e të dhënave, si dhe përgatitje për kalimin e vlerësimeve në format digjital.
Procesi i njohjes së diplomave dhe kualifikimeve ndërkombëtare është i gjatë dhe jo gjithmonë konsistent, duke dëmtuar studentët e huaj.
Avantazhet e krijimit të Agjencisë së Shërbimeve Arsimore
Krijimi i kësaj agjencie autonome parashikohet të sjellë përparësi thelbësore. Agjencia do të funksionojë pa ndikim të drejtpërdrejtë nga ministria, duke garantuar shërbime të pavarura dhe meritokratike. Ajo do të financohet nga Buxheti i Shtetit dhe të ardhurat e krijuara nga shërbimet e ofruara.
Agjencia do të ofrojë shërbime të specializuara dhe me cilësi të lartë, duke zbatuar standardet ndërkombëtare si ISO 9001. Kjo do të përfshijë vlerësim më të saktë, transparencë dhe konfidencialitet në proceset e testimit.
Pritet gjithashtu modernizimi i Maturës Shtetërore, përmirësimi i menaxhimit të të dhënave, lehtësimi i njohjes së diplomave të huaja dhe i procesit të matrikullimit të studentëve.
Krijimi i Agjencisë me një ligj të posaçëm do të konsolidojë të gjitha funksionet dhe kompetencat aktuale të QSHA-së në një akt të vetëm, duke thjeshtuar kuadrin ligjor dhe duke i dhënë përparësi parimit “lex specialis derogat generali” (ligji i posaçëm prevalon mbi ligjin e përgjithshëm).
Përputhshmëria me politikat dhe standardet
Projektligji është në përputhje të plotë me programin politik të Këshillit të Ministrave dhe me Strategjinë Kombëtare të Arsimit, 2021-2026. Ai bazohet në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit, paanësisë, respektimit të të drejtave të njeriut, bashkëpunimit ndërinstitucional, vlerësimit të drejtë dhe të barabartë, transparencës dhe efikasitetit.
Studimet e kryera nga ekspertë britanikë të Cambridge Assessment International Education, të kontraktuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF), kanë sugjeruar transformimin e QSHA-së në një agjenci autonome, duke synuar ta kthejnë atë në një institucion referencë në rajon dhe më gjerë.
Me krijimin e Agjencisë së Shërbimeve Arsimore, Shqipëria synon të forcojë sistemin e saj arsimor, duke garantuar cilësi, transparencë dhe efikasitet në shërbimet publike arsimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





