Kryetari i PDK-së, Hamza: Presidenti nuk mund të vendoset mbi ligjin dhe Kuvendin, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja

Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka ngritur shqetësimin për tejkalimin e afateve kushtetuese në konstituimin e Kuvendit dhe mungesën e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Që Kuvendi i Kosovës, edhe në bazë të gjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është dashur që të jetë i konstituuar me datën 7 gusht. Kemi vonesa, mosrespektim të afateve kushtetuese për Kuvendin e Kosovës. Asnjë veprim konkret, serioz për një periudhe prej datës 7 gusht deri sot, deri në orët e fundit për me i dhënë vendit president,”, deklaroi Hamza.
Deklarata për UÇK-në si vlerë e përbashkët kombëtare
Lidhur me nismën ligjore dhe deklaratën politike në mbështetje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kreu i PDK-së theksoi se iniciativa nuk bëhet për përfitime elektorale partiake, por për të mbrojtur sakrificën e të gjithë popullit.
“Lufta e popullit të Kosovës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në. Viktimat, dëshmorët, viktimat civile, invalidët e luftës, veteranët, populli i Kosovës nuk i takon veç një subjekti politik. I takon të gjitha subjekteve politike,”, u shpreh ai.
Kërkesa për drejtësi dhe transparencë në procesin e Hagës
Në fjalën e tij, Hamza u ndal edhe te procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, duke kërkuar procedime të bazuara vetëm mbi fakte dhe transparencë të plotë institucionale.
“Ligji do, kërkon drejtësi. Drejtësi për njerëzit të cilët janë në këtë proces. Drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin. Jemi për me vendos mbikëqyrje, jo ndërhyrje, jo me i thënë gjykatës qysh me gjyku ju, po me pas mbikëqyrje, me pas transparencë, me pas llogaridhënie, me pas drejtësi,”, theksoi kryetari i PDK-së.
Procedurat ligjore dhe dialogu me krerët politikë
Hamza hodhi poshtë pretendimet për vonesa apo kushtëzime procedurale nga ana e PDK-së lidhur me miratimin e ligjit në dy lexime, duke nënvizuar se ka mbajtur kontakte me të gjithë udhëheqësit politikë, por kërkon rezultate konkrete.
“Jam takuar vazhdimisht. Jam i vetmi që jam takuar me të gjithë liderët e partive politike: edhe me zotin Kurti, edhe me zotin Gjini, edhe me zotin Abdixhiku. Mirëpo nuk mundem me bërë më shumë takime pa rezultat. Ne jemi në orët e fundit,”, përfundoi Hamza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



