Kryevepra e humbur e Rubensit rikthehet – Piktura e rizbuluar shitet për 2.7 milionë dollarë në Paris

Një pikturë e rrallë e mjeshtrit barok Peter Paul Rubens, e humbur prej shekujsh dhe e konsideruar gabimisht si vepër e një asistenti të tij, u shit për 2.3 milionë euro në një ankand në Paris. Vepra “Krishti në Kryq”, e pikturuar rreth viteve 1620–1625, u rizbulua së fundmi në një rezidencë pariziene ku kishte qëndruar që nga shekulli XIX, kur ishte blerë nga artisti francez William-Adolphe Bouguereau.
Pasardhësit e Bouguereau-t besonin se piktura ishte punuar nga një ndihmës i Rubensit, por një proces i detajuar vërtetimi përfshirë analiza me rreze X dhe ekzaminim mikroskopik të pigmenteve i drejtuar nga historiani i artit Nils Büttner, konfirmoi se ishte një origjinal i Rubensit. Zbulimi shkaktoi interes të madh, duke e çuar çmimin mbi vlerësimin fillestar të ankandit.
Shtëpia e ankandeve Osenat e përshkroi veprën si “magjike” dhe plot forcë artistike, ndërsa kujtoi se nuk është hera e parë që një vepër e Rubensit rikthehet në qendër të vëmendjes. Në vitin 2002, një tjetër pikturë e tij u shit për 76 milionë dollarë pasi u identifikua saktë si vepër e mjeshtrit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





