Kumbaro: Kemi trefishuar buxhetin për kërkimin shkencor, reformat sipas direktivave të BE-së
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, doli sot në konferencë për shtyp ku prezantoi vendimet e fundit të qeverisë.
Ajo theksoi se prioritet mbetet procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në këtë kuadër njoftoi se buxheti për kërkimin shkencor është trefishuar.
“Kemi mbyllur sot me vendim të Këshillit të Ministrave aktin e 12‑të nënligjor në zbatim të ligjit për shkencën në Republikën e Shqipërisë për vitin 2024, një paketë e rëndësishme për organizimin e institucioneve të kërkimit shkencor në përputhje me direktivat e Komisionit Europian dhe BE,” deklaroi Kumbaro.
Sipas saj, ky hap përbën veprimin e fundit ligjor për Kapitullin 25, që është kapitulli për kërkimin shkencor, i cili pritet të jetë një ndër të parët që do të mbyllet brenda këtij viti në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian.
Ministrja shpjegoi se për hartimin e këtyre akteve është punuar në bashkëpunim të ngushtë jo vetëm me institucionet shqiptare, por edhe me Komisionin Europian, në mënyrë që përputhja të jetë e plotë dhe Shqipëria të bëhet pjesë e Zonës së Lirë Europiane të Kërkimit.
“Ky proces hap perspektiva të reja për të dhënë lehtësira kërkuesve shkencorë, qoftë në universitete apo institucione të tjera publike e private, duke i vendosur ata në të njëjtin nivel me vendet e BE,” u shpreh Kumbaro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





