Kurbin, rritet siguria në shkolla, diskutohet vendosja e kamerave në rrugët rrethuese

Arsim | 8 muaj më parë

Siguria e nxënësve dhe parandalimi i kriminalitetit në ambientet arsimore ka bërë bashkë ditën e sotme drejtuesit më të lartë të Policisë dhe Arsimit në Kurbin. Në një takim të gjerë të zhvilluar në ambientet e bashkisë, fokusi kryesor ishte forcimi i hallkave të bashkëpunimit për të garantuar që shkolla të mbetet një vend i dijes dhe jo i konflikteve.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin Zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë, Arben Curri, Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve, Artur Cara, si dhe drejtues të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar dhe Zyrës Arsimore Kurbin.

Kamera dhe monitorim

Gjatë diskutimit, palët ranë dakord se sfida kryesore mbetet identifikimi i hershëm i problematikave. Për këtë, u vendos vendosja e një standardi të ri komunikimi në kohë reale mes oficerëve të sigurisë, stafit pedagogjik dhe policisë, për të parandaluar çdo konflikt të mundshëm mes të rinjve.

Një nga risitë e diskutuara ishte plani për rritjen e sigurisë teknologjike. Autoritetet po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e vendosjes së kamerave të sigurisë jo vetëm brenda oborreve, por edhe në rrugët që rrethojnë institucionet arsimore. Kjo masë synon të dekurajojë elementët kriminalë dhe të rrisë sigurinë për komunitetin.

Policia e Lezhës ritheksoi angazhimin e saj për të qenë prezente me monitorim të vazhdueshëm në perimetrin e shkollave.

“Qëllimi ynë është një mjedis i qetë, ku nxënësit të jenë të mbrojtur dhe të fokusuar vetëm te mësimi,” u shprehën përfaqësuesit e rendit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme