Kuvendi i Kosovës i hap rrugë ndryshimeve për Gjykatën Specialen, pr/ligji miratohet në parim me 91 vota

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Projektligji mori 91 vota pro, ndërsa Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk mori pjesë në votim. Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Para nisjes së seancës plenare, projektligji u miratua unanimisht edhe në Komisionin për Legjislacion, me nëntë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Debati në Kuvend u përqendrua kryesisht te kompetencat e Dhomave të Specializuara dhe mundësia që një pjesë e çështjeve që lidhen me krimet e luftës të trajtohen nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti tha se ndryshimet duhet të trajtohen me kujdes dhe jo me nxitim, por konfirmoi se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë projektligjin në lexim të parë. “Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji. E dimë që ju besoni në të dhe ne duam të besojmë besimin tuaj”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se beteja për rastet që po zhvillohen në Hagë duhet të vijojë përmes mjeteve juridike, duke e cilësuar Apelin si rrugën kryesore për përmbysjen e vendimeve. “Të nderuar kolegë nga Qeveria dhe deputetë të Kuvendit, adresë e fitores është Apeli. Aty dilet triumfues. E për fitore nevojitet organizim dhe strategji”, tha Kurti.
Sipas tij, mbështetja për ndryshimet ligjore duhet të shërbejë si pikënisje për ndërtimin e një strategjie të përbashkët shtetërore dhe kombëtare lidhur me proceset në Hagë. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi çështjen e Dhomave të Specializuara si një çështje që lidhet me historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Hamza theksoi se iniciativa e PDK-së nuk synon mbylljen e Dhomave të Specializuara, por kërkon që të ketë llogaridhënie dhe ndryshim të mënyrës se si trajtohen disa çështje. “Nuk po kërkojmë ta mbyllim Gjykatën, po kërkojmë llogaridhënie”, tha Hamza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





