Lëvizje te Vllaznia/ Jep dorëheqjen drejtori sportiv Sinani, e zëvendëson Hasani

Futboll Vendi | 47 minuta më parë

Në prag të të ndeshjes së kampionatit me Dinamon në Shkodër, te Vllaznia ka zhvillime që e trazojnë jo pak ambientin. Vioresin Sinani, drejtori sportiv i klubit kuqeblu, ka dhënë dorëheqjen nga ky post.

Sinani kishte rinovuar kontratën deri në 2028-ën pak kohë më parë, ashtu si trajneri i larguar tashmë, Edi Martini. Por sot është mësuar se ai është larguar, ndërsa klubi nuk ka bërë ende asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Vendin e Sinanit, sipas medieve lokale të Shkodrës, e ka marrë Alban Hasani (Neziri), ish-futbollisti që mban edhe postin e drejtorit të akademisë së Vllaznisë. Po nga mediet lokale është dhënë lajmi se skuadra ka bojkotuar stërvitjen e sotme.

Trajneri i ri i Vllaznisë, Laszlo, i cili ka vetëm pak ditë që ka nisur punën, është përballur kështu me një situatë aspak komode, ndërkohë që të dielën luhet ndeshja e radhës në kampionat me Dinamon. Pritet që Vllaznia të sqarojë gjithçka zyrtarisht në lidhje me këto zhvillime të fundit.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme