Lufta në Gaza, UNRWA: Qendra e ndihmës në Rafah u godit nga forcat izraelite

Botë | 3 vite më parë

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka bërë të ditur se një anëtar i stafit u vra dhe 22 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite goditën një qendër shpërndarjeje ushqimore në Rafah, në Rripin jugor të Gazës.

Shefi i UNRWA, Philippe Lazzarini tha se sulmet ndaj objekteve ishin “bërë të zakonshme në mospërfillje të hapur ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar“.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se një sulm ajror izraelit vrau pesë persona. Ndërsa nga ana e saj, ushtria izraelite ka bërë të ditur se vrau një komandant të Hamasit.

Ushtria izraelite e ka identifikuar si Mohammed Abu Hasna dhe pretendoi se ai kishte qenë një “operativ mbështetës luftarak” në krahun ushtarak të Hamasit në zonën Rafah.

Rafah i banuar nga rreth 1.5 milionë palestinezë që po kërkojnë strehim nga ofensiva tokësore e Izraelit diku tjetër në Gaza.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka paralajmëruar se një sulm izraelit në qytet mund të “zhysë popullin e Gazës në një rreth edhe më të thellë ferri”.

Lufta në Gaza filloi kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 253 të tjerë.

Më shumë se 31,200 njerëz janë vrarë në Gaza në fushatën ushtarake që Izraeli filloi si përgjigje, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Sulmi i së mërkurës thuhet se goditi anën lindore të qendrës së shpërndarjes së ushqimit UNRWA, e cila është në pjesën lindore të Rafah.  Zëdhënësja e UNRWA-s, Juliette Touma i tha BBC-së se deri në 60 persona besohet të kenë punuar në objekt, i cili shërbente gjithashtu si një depo për ushqime dhe furnizime të tjera kritike.

“Ne e dimë se janë forcat izraelite që ishin përgjegjëse. Ekipet tona ishin në vend dhe ata raportuan për viktimat” tha ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme