Luftërat dhe ekonomia pritet të dominojnë fjalimin e presidentit Biden përpara kombit

Presidenti amerikan, Joe Biden do të mbajë të enjten fjalimin e tij të përvitshëm për gjendjen e vendit, ku pritet të trajtojë menaxhimin e ekonomisë, të drejtat për riprodhimin, emigracionin, si dhe konfliktet në Ukrainë dhe në Gazë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, presidenti 81-vjeçar pritet gjithashtu ta shfrytëzojë rastin për të demonstruar se është i aftë fizikisht dhe mendërisht për një mandat të dytë.
Ky fjalim për gjendjen e vendit në një vit zgjedhor i jep presidentit, Joe Biden një hapësirë prej rreth një ore në epiqendër të vëmendjes së amerikanëve, ku ai mund të nxjerrë në dukje arritjet e tij për çështje që u interesojnë votuesve, si ekonomia, emigracioni, të drejtat e riprodhimit, ndihma për Ukrainën dhe Izraelin…, si dhe kontrastin me alternativën nëse ai nuk do të fitonte në zgjedhjet e nëntorit.
Është një sfidë për çdo president, por presidenti Biden përballet me polemika edhe për një aspekt që ai nuk mundet ta ndryshojë.
“Publiku amerikan vazhdon ta ketë shqetësim moshën e Biden-it dhe mendoj se kjo është një sfidë kryesore që ai duhet ta tejkalojë me kandidimin për t’u rizgjedhur”, thotë Chris Jackson, nga firma e anketimeve “Ipsos”.
Shtëpia e Bardhë i tha Zërit të Amerikës se presidenti do të për qëndrohet tek tematikat.
“Ai e mirëpret mundësinë për të folur me popullin amerikan, me Kongresin dhe me botën, për arritjet e mëdha në këto tre vite e gjysmë si president i Shteteve të Bashkuara: që nga ekonomia, tek arsimi, kujdesi shëndetësor, punësimi, si dhe në skenën botërore dhe rikthimin e rolit udhëheqës të Amerikës në botë”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Analistët thonë se fjalimi i presidentit Biden do të për qëndrohet tek politikat, por se efektin më të madh do ta ketë nga mënyra se si do të përçohet dhe nga ndërveprimi me audiencën.
“Mendoj se i është i kënaqur të gjendet në Dhomën e Përfaqësuesve mes anëtarëve të Kongresit. Momentet më të mira të fjalimeve të tij për gjendjen e kombit kanë qenë kur republikanët e kanë sfiduar në mënyrë ofenduese, madje edhe kanë ndërprerë, dhe ai u është përgjigjur menjëherë me humor, ironi dhe shumë efektivitet”, thotë Jeremy Suri, nga Universiteti i Teksasit, shkruan VOA.
Analistët e politikës së jashtme mendojnë se presidenti Biden do të flasë për konfliktin në Gazë, duke vënë në dukje se ai ka ftuar ta ndjekin fjalimin të afërmit e amerikanëve të marrë peng nga Hamasi.
“Fjalimet e mëparshme për gjendjen e vendit kanë anuar më shumë nga çështjet e brendshme. Sigurisht që ka një komponent të brendshëm në situatën e politikës së jashtme, në veçanti me konfliktin në Lindjen e Mesme. Por kjo do të jetë një pjesë e madhe e fokusit të presidentit Biden, pasi këtë kanë njerëzit në mendje”, thotë Merrisa Khurma, nga Qendra Wilson.
Anketuesit thonë se në mendjet e votuesve është edhe një emër tjetër.
“Për Biden-in kryesorja është që të tregojë se mund t’i fitojë zgjedhjet përballë Trump-it. Kjo është vërtet gjëja kryesore që duhet të demonstrojë, madje më shumë se për pikëpyetjet nëse po bën një punë të mirë me ekonominë, apo emigracionin, apo secilën nga çështjet e tjera”, thotë zoti Jackson.
Presidenti Biden ka shansin të japë përgjigje mbrëmjen e së enjtes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




