Manifaktura kërkon ndërhyrje nga qeveria, propozojnë për 2027-ën: Lehtësime doganore, harmonizim pagash

Sociale | 44 minuta më parë

Sektori i manifakturës kërkon më shumë vëmendje dhe ndërhyrje konkrete përballë vështirësive me të cilat po përballet.  Në Shkodër, Shoqata “Manifaktura Shqiptare” zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve prodhuese, ku u diskutuan problematikat dhe propozimet që pritet t’i adresohen qeverisë.

Ndër kërkesat kryesore janë ndryshime në paketën fiskale 2027, rishikimi i mënyrës së harmonizimit të pagave, lehtësimi i tarifave doganore për lëndët e para, rritja e amortizimit për investimet nga 20 në 40 për qind, si dhe më shumë akses në grantet dhe skemat mbështetëse.

“Kemi përgatitur një paketë me disa ndërhyrje në paketën fiskale për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm dhe, në këto, mund të përmend harmonizimin e pagave të punonjësve. Masat e tjera janë çështja e atyre që kanë filluar të bëjnë transformimin nga materiali porositës në cikël të plotë. Është çështja e tarifave doganore për lëndët e para. Është edhe çështja e rritjes së amortizimit për investimet, nga 20% në 40%. Është edhe çështja e granteve. Ne po shohim që vëmendja e qeverisë për disa sektorë ka qenë mjaft e madhe, por unë mendoj që edhe ne duhet të jemi prioritarë”, u shpreh Florjan Zekja, Kryetar i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”.

Përfaqësuesit e biznesit vlerësuan se kërkesat janë të realizueshme dhe mund të ndihmojnë në zgjatjen e aktivitetit të sektorit fason.

“Jo se fasoni është i garantuar, por zgjatja e afatit të mbylljes. Qeveria shqiptare duhet t’i marrë parasysh këto kërkesa, sepse janë plotësisht të realizueshme”, tha biznesmeni Gjergj Leqejza.

Shoqata  “Manifaktura Shqiptare”   synon që propozimet e mbledhura nga bizneset në qarqe të ndryshme të shërbejnë si bazë për një dialog më të argumentuar me qeverinë, me synim mbështetjen dhe transformimin gradual të sektorit drejt prodhimit të plotë.

Gazetar: V. Omari

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme