Raporti “Gratë dhe Burrat në Shqipëri 2026″/ Ngushtohet hendeku i pagave, gratë dominojnë arsimin e lartë, por mbeten pas në tregun e punës

Sociale | 48 minuta më parë

Publikimi më i fundit i të dhënave statistikore “Gratë dhe Burrat në Shqipëri 2026” zbulon dinamikat e reja demografike, sociale dhe ekonomike në vend, duke theksuar pabarazitë dhe arritjet gjinore në sektorë të ndryshëm. Të dhënat konfirmojnë një tkurrje të përgjithshme të popullsisë, të shoqëruar me një dominim të grave në arsimin e lartë dhe në fushën e mësimdhënies, ndonëse tregu i punës vazhdon të reflektojë sfida në punësim dhe përfaqësim ekonomik.

Tkurrje e popullsisë dhe sfidat demografike

Në fund të vitit 2025, popullsia banuese në Shqipëri numëronte 2.335.930 banorë, me një shumicë të lehtë të grave (50,6%) krahasuar me burrat (49,4%). Raporti thekson se popullsia ka pësuar rënie në të dyja gjinitë, me 1,3% për burrat dhe 1,0% për gratë krahasuar me vitin pararendës.

Sa i përket lindshmërisë, u regjistruan 22.541 lindje, 769 më pak se në vitin 2024, me një raport gjinor prej 108 djemsh për çdo 100 vajza.

Nga ana tjetër, shëndetësia mbetet e ndikuar ndjeshëm nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve (54,5% te gratë dhe 51,6% te burrat). Për sa i përket shëndetit riprodhues, gjatë vitit 2025 u regjistruan 4.277 aborte, ku grupmosha 20-34 vjeç zë peshën kryesore prej 56,8%.

Arsimi, vajzat kryesojnë në auditorë

Një nga gjetjet më domethënëse të raportit është dominimi i grave në arsim. Gjatë vitit akademik 2024-2025, nga 28.939 studentë të diplomuar, 65,3% ishin vajza. Preferencat e studimit ndahen dukshëm: vajzat priren drejt fushave të “Shëndetit dhe mirëqenies” (27,6%) dhe “Shkencave sociale”, ndërsa djemtë dominojnë në “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (25,1%) dhe “Teknologji e informacionit” (14,0%).

Gratë mbajnë gjithashtu peshën kryesore në mësimdhënie, duke përbërë 79,6% të stafit në arsimin 9-vjeçar dhe 71,7% në atë të mesëm. Në arsimin e lartë, ato përfaqësojnë 60,5% të stafit me titullin “Doktor”, por vetëm 35,8% të kategorisë “Profesor”.

Tregu i punës, ngushtohet hendeku i pagave, sfidë mbetet punësimi

Të dhënat tregojnë një rritje të angazhimit, por pabarazitë mbeten të theksuara. Shkalla e punësimit për burrat (15-64 vjeç) arriti në 76,0%, ndërsa për gratë mbeti në 62,7%. Bujqësia vazhdon të jetë punëdhënësi kryesor për gratë, duke absorbuar 38,4% të forcës së tyre punëtore.

Lajmi pozitiv vjen nga hendeku gjinor në paga, i cili ka rënë në 4,6% (nga 4,9% në vitin 2024), duke treguar një ngushtim të diferencës në kompensimin financiar mujor mes gjinive. Megjithatë, gratë mbeten më të ekspozuara ndaj punës së papaguar në bizneset familjare (25,0%) dhe përbëjnë shumicën e personave joaktivë për shkak të detyrave shtëpiake (15,1% e grave kundrejt 0,7% të burrave).

Drejtësia dhe dhuna në familje

Në sistemin e drejtësisë penale, gratë përbëjnë vetëm 6,7% të autorëve të dyshuar për vepra penale. Megjithatë, ato janë viktimat kryesore të dhunës në familje, me 1.507 raste të regjistruara gjatë vitit 2025. Tirana mban numrin më të lartë të rasteve (43,3%), e ndjekur nga Durrësi dhe Fieri. Për sa i përket krimeve të rënda, raporti vëren se 20% e vrasjeve me dashje ndodhën për shkak të marrëdhënieve familjare.

Përfaqësimi dhe vendimmarrja

Në sferën e vendimmarrjes politike dhe ekonomike, të dhënat tregojnë një pjesëmarrje të konsoliduar por ende larg barazisë së plotë.

Në politikë gratë përbëjnë 35,0% të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë (49 nga 140 deputetë).

Në diplomaci ato mbajnë 37,5% të pozicioneve të ambasadorëve.

Ndërsa në biznes, 31,6% e ndërmarrjeve aktive kanë pronare ose administratore gra, veçanërisht të përqendruara në sektorin e shërbimeve.

Pavarësisht përparimeve në arsim dhe një rënieje të lehtë të hendekut të pagave, shifrat mbi varfërinë tregojnë se gratë mbeten më të rrezikuara. Rreziku i varfërisë ose përjashtimit social (AROPE) u llogarit në 41,5% për gratë dhe 39,4% për burrat, duke nënvizuar nevojën e vazhdueshme për politika mbrojtëse sociale dhe fuqizim ekonomik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme