Maturantët informohen për plotësimin e formularit A1, ofrohet mbështetje edhe nga shkollat e mesme

Arsim | 8 muaj më parë

Mund të vlerësohesh me nota të larta gjatë tre viteve të shkollës së mesme, por nëse nuk je i informuar mbi kriteret e universitetit që do të përzgjedhësh, ose nuk ke bërë zgjedhjen e duhur të lëndëve që do të japësh në provimin e maturës, është më shumë mundësi që nuk do të rezultosh fitues në programin e studimit për të cilin do aplikosh.

Mësuesja e shkollës së mesme “Asmi Vokshi”, Nertila Bucpapaj, sqaron se maturantët janë këshilluar dhe informuar në lidhje me plotësimin e formularit A1, i cili dikton më pas edhe përzgjedhjen e degës së studimit.

“Me datë 2 shkurt deri më datë 11 shkurt fillon aplikimi i formularëve A1 dhe A1Z. Degët e universiteteve janë shumë të rëndësishme për tu bërë të njohura për nxënësit, sepse në bazë të asaj bëhet edhe përzgjedhja e universitetit”, tha Bucpapaj,

Por, nëse maturanti pendohet për përzgjedhjen në një moment të dytë, ai mund ta riplotësojë përsëri formularin. Mund të bëhet riaplikimi, sigurisht, në datat e caktuara kur hapen periudhat për rishikimin e aplikimeve.

“Maturantët shprehen të vendosur për degën që do të ndjekin për studimet e larta dhe janë mirëinformuar për mënyrën se si do ta arrijnë qëllimin”, nënvizoi ajo.

Konsultimet do të mbyllen në fund të muajit prill, për t’i lënë vendin më pas provimeve të maturës dhe, në fund, aplikimit për në universitet.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme