Maturantët zgjedhin universitetin, rreth 30% e nxënësve të Shkollës Profesionale aplikojnë për studime të larta

Arsim | 2 muaj më parë

Një pjesë e maturantëve të shkollës profesionale “Shërbime” në Korçë kanë vendosur të vijojnë studimet e larta pas përfundimit të arsimit profesional, duke e parë universitetin si një mundësi për të zgjeruar njohuritë dhe për të ndërtuar një karrierë më të qëndrueshme.

Jona, e cila synon të studiojë Infermieri, thotë se përgatitja e marrë në shkollën profesionale do ta ndihmojë në studimet universitare.

“Kam zgjedhur infermjerinë sepse një pjesë të lëndëve ne i kemi bërë këtu në shkollë dhe mendoj që kjo do ma lehtësojë punën për studimet e larta”, tha ajo.

Ndërsa Kesin, e diplomuar në drejtimin Hoteleri-Turizëm, ka zgjedhur të vazhdojë universitetin në të njëjtën fushë.

“Unë kam përfunduar studimet për drejtimin hoteleri turizëm dhe tani kam aplikuar për në universitet, por për të njëjtin drejtim, sepse tashmë kam fituar aftësi teorike dhe praktike dhe një arsye tjetër është që Korça ka një turizëm të zhvilluar“, tha ajo.

Sipas drejtores së shkollës, rreth 30% e maturantëve të këtij viti kanë aplikuar për programe universitare, ndërsa shumë prej tyre janë njëkohësisht të punësuar falë kualifikimit profesional që kanë fituar gjatë viteve të shkollimit.

“E para, çertifikimi që ka marrë në shkollë profesionale i krijon mundësi punësimi dhe e dyta, aspak nuk e pengon që të vazhdojë një shkollim të lartë në qoftë se ka rezultatet e shkollës. Këtë vit në aplikimet e realizuara për arsimin e lartë nga nxënësit tanë ishin rreth 30%, që rezultojnë se janë të punësuar, por ndërkohë aplikuan dhe për shkollimin e lartë“, tha Tatajana Mero, Drejtore e Shkollës Profesionale Shërbime në Korçë.

Vijimi i studimeve universitare po shihet gjithnjë e më shumë nga maturantët e arsimit profesional si një mundësi për të plotësuar formimin e tyre, për të zgjeruar perspektivat në tregun e punës dhe për të ndërtuar një karrierë më të sigurt.

Gazetare: E. Fili     

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme