Mbyllet Matura Shtetërore, ekspertët flasin për problematikat që e shoqëruan procesin

Arsim | 1 vit më parë

Pas përfundimit të provimeve të Maturës Shtetërore, prindër, nxënës, mësues dhe specialistë të arsimit i janë rikthyer debatit për mënyrën sesi janë matur njohuritë e nxënësve.

Ekspertë të arsimit për Televizionin Shqiptar kanë sqaruar se procesi është shoqëruar me një sërë problematikash, ndaj dhe nevojitet patjetër reformimi i tij.

“Gjatë gjithë këtyre viteve janë konsoliduar disa problematika shumë të mëdha në lidhje me Maturën Shtetërore. E para ka të bëjë me cilësinë e testeve, duke filluar këtu nga gjuha e përdorimit dhe formulimit të ushtrimeve. Për të vijuar me qartësinë se si hartohen tezat… Një problematikë shumë e fuqishme lidhet edhe me përgjigjet që dalin në Çelësin e Zgjidhjeve,” thotë eksperti i arsimit, Genti Hyka.

“Dihet shumë mirë nga të dhënat që kanë dhënë OJF të ndryshme, se gjimnazet që ishin më të dobëta kanë dalë gjimnazet më të mira. Është kopjuar masivisht. Ti më ke thënë mua që unë vëzhgoj, që do t’i bëjmë të gjitha shkollat të monitoruara me kamera. Ku e ke?!” pyet kolegu i tij, Ndriçim Mehmeti.

Sipas ekspertëve, problematikat që kanë shoqëruar procesin janë reflektuar edhe në rezultatet e maturantëve, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përzgjedhjen e tyre për të vijuar studimet e larta.

“Vit pas viti ne kemi zbritur me një notë. Të zbresësh gati një notë në Maturën Shtetërore është e tmerrshme, sepse tregon faktikisht që nxënësi i dhjetës ka vajtur te nënta, nxënësi i nëntës ka vajtur te teta… Shiko lëndët me zgjedhje. Nga vetë emri, ti e ke zgjedhur, ndaj nuk duhet të kishte asnjë ngelës,” thekson z. Mehmeti.

“Ka pasur shpesh raste kur janë përmbysur edhe raportet e vlerësimit nga shkolla në Maturën Shtetërore. Kjo do të ketë pasoja shumë të gjera, sepse kjo kushtëzon edhe të drejtën e studimit më mbrapa. Është një problem që duket se do të përhapet në gjithë shoqërinë me pasoja shumë më të gjera sesa një Maturë Shtetërore,” thotë z. Hyka.

Këtë vit i janë nënshtruar provimeve të Maturës Shtetërore rreth 27.000 maturantë, ndërsa niveli i kalueshmërisë rezulton të jetë 98%.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme