Më shumë studentë në Durrës, 1.296 të regjistruar në raundin e parë, më shumë oferta akademike

Arsim | 1 vit më parë

Me përfundimin e raundit të parë për të drejtën e ndjekjes së studimeve, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) numëron deri më tani 1.296 studentë të regjistruar në të gjitha ciklet e studimit.

Sipas rektorit Shkëlqim Fortuzi, ky numër në rritje krahasuar me një vit më parë vjen edhe falë shtimit të ofertave akademike.

“Është puna e mirë që është bërë ndër vite nga Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës, dhe ky është reflektuar në ruajtjen e trendit rritës në programe ekzistuese, si Gjuhët e Huaja, gjuha angleze; programi i Psikologjisë. Gjithashtu rritje të konsiderueshme ka pasur programi i Infermierisë, programi i Shkencave Ekonomike, programi i Teknologjisë së Informacionit,” thotë z. Fortuzi.

Kampusi i ri universitar, i pozicionuar në zonën e Spitallës, kërkon edhe përmirësimin e infrastrukturës, për të cilën rektori Fortuzi është shprehur se është menduar për zgjidhje.

“Po punohet intensivisht me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për të mundësuar asfaltimin e rrugës ekzistuese, e cila është amortizuar. Kemi marrë premtimin që kjo rrugë do të sistemohet së shpejti. Gjithashtu po punojmë me Bashkinë për të ndërtuar një rrugë alternative. Me sa jemi në dijeni është miratuar dhe shpallur firma fituese për ndërtimin e kësaj rruge, e cila do të jetë e dedikuar vetëm për studentët, pedagogët e Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës,” tregon rektori i UAMD.

Në fund të këtij viti pritet përfundimi i punimeve për godinën e re të Fakultetit të Studimeve Profesionale, i cili do të ketë mjedise të reja me kushte bashkëkohore për studentët.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme