Memaliaj nis mbarë sezonin turistik, rritet interesi i vizitorëve dhe investimet në turizmin rural
Atraksionet turistike që ofron territori i bashkisë po tërheqin çdo ditë turistë vendas dhe të huaj, ndërsa institucionet vendore dhe komuniteti po punojnë për ta kthyer turizmin në një nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.
“Në qytetin e Memaliajt, vizitorët ndalojnë për të parë Muzeun e Minatorit dhe muzeun etnografik, ndërsa së fundmi qendrës multifunksionale i është shtuar edhe galeria e artit. Kjo galeri konsiderohet një tjetër vlerë e veçantë që pasuron gjithë kompleksin kulturor të qytetit dhe pritet të tërheqë edhe më shumë turistë në Memaliaj. Turistët po tregojnë gjithashtu interes të madh për shëtitoren buzë Vjosës, e cila tashmë është kthyer në një nga pikat më tërheqëse të qytetit, si një gjerdan që rrethon dhe zbukuron Memaliajn”, tha Albert Malaj, Kryetar i Bashkisë Memaliaj.
Interesi për zhvillimin e turizmit është rritur edhe në zonat rurale. Banorë që prej vitesh jetojnë larg po rikthehen për të investuar në vendlindje, kryesisht në hapjen e bujtinave dhe shërbimeve tradicionale, duke i dhënë një tjetër frymëmarrje ekonomisë lokale dhe jetës së komunitetit.
“Ka një interes gjithnjë në rritje, jo vetëm falë përmirësimit të infrastrukturës së bujtinave, por edhe rikthimit të banorëve në këto zona. Këto vende janë një mrekulli e vërtetë natyrore, të rrethuara nga pyje, liqene dhe atraksione të shumta turistike, që po tërheqin çdo vit e më shumë vizitorë”, tha ai.
Ndërkohë, bashkia po investon në promovimin e destinacioneve turistike, përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetjen e nismave lokale të lidhura me turizmin, me synimin për ta kthyer zonën në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





