Mesazh nga e shkuara, letra 120-vjeçare zbulon jetën nën sundimin rus në Poloni

Kuriozitete | 1 vit më parë

Një zbulim i rrallë historik është bërë gjatë punimeve të restaurimit në një manastir të shekullit të 16-të në Poloni. Punëtorët që po çmontonin një kryq në kullën e portës së ish-manastirit dhe kishës Bernardine në fshatin Kazimierz Biskupi, hasën një shishe qelqi që përmbante një letër 120-vjeçare, një dëshmi prekëse e jetës nën sundimin carist rus.

Letra, e datuar më 9 maj 1905 dhe e shkruar nga farkëtari vendas Karol Szulc, përshkruan realitetin e ashpër të jetës në një Poloni që zyrtarisht nuk ekzistonte, pasi ishte ndarë midis Rusisë, Prusisë dhe Austrisë. Fshati Kazimierz Biskupi ndodhej nën kontrollin rus, gjatë mbretërimit të Car Nikollës II.

Në mesazhin e tij, Szulc shkruan: “Mbretërimi i Perandorit rus Nikolla i Dytë është i tmerrshëm për ne polakët që rënkojmë nga djersa e sundimit rus, djersa e kamzhikut rus.” Ai përmend gjithashtu luftën shkatërrimtare midis Rusisë dhe Japonisë, duke theksuar humbjet masive të jetëve njerëzore.

Letra përshkruan politikën shtypëse të rusëve ndaj polakëve nga ndalimi i gjuhës polake në shkolla, konfiskimi i tokës, deri te rekrutimi i detyruar në ushtrinë ruse dhe persekutimi i Kishës Katolike. Megjithatë, në mes të kësaj errësire, autori tregon për shpresën që i kishte dhënë komunitetit një prift vendas, Atë I. Małachowski, i cili ndërtoi një kishë të re falë kontributeve vullnetare.

Letra tani konsiderohet një dokument me vlerë të jashtëzakonshme, që sjell në dritë një copëz historie nga një periudhë e errët por e rëndësishme e identitetit kombëtar polak.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme