Ministri Gonxhja: Sporti, një nga gjuhët më të bukura që bashkon Europën

Aktualitet | 60 minuta më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka përcjellë një mesazh në kuadër të Javës Europiane të Sportit, e cila zhvillohet nga 23 deri më 30 shtator.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja thekson rëndësinë e aktivitetit fizik dhe të sportit në promovimin e një jetese më të shëndetshme dhe një shoqërie më aktive.

Gonxhja i është referuar gjithashtu nismës BeActive të Komisionit Europian, e cila synon të nxisë qytetarët të përfshihen në aktivitete fizike dhe të adoptojnë një mënyrë jetese më aktive.

Sipas tij, Java Europiane e Sportit është një nismë për të gjithë, si për ata që ushtrohen rregullisht, ashtu edhe për ata që vendosin të nisin aktivitetin fizik.

Në përfundim, ministri bën thirrje që sporti të mos mbetet vetëm pjesë e aktiviteteve të kësaj jave, por të kthehet në një pjesë të përditshme të jetës.

Java Europiane e Sportit 23–30 Shtator. Sporti është një nga gjuhët më të bukura që bashkon Europën. Ai na afron, na përfshin dhe na mëson vlerat e solidaritetit, respektit, barazisë dhe të një shoqërie më aktive. Përmes BeActive, nismës së Komisionit Europian që promovon aktivitetin fizik dhe një mënyrë jetese më të shëndetshme, Java Europiane e Sportit është për të gjithë: për ata që stërviten çdo ditë dhe për ata që zgjedhin të nisin sot. Një shëtitje, një vrap, një lojë me miqtë, një aktivitet në komunitet apo një sport i ri, çdo lëvizje është një hap drejt një jete më aktive dhe më të shëndetshme. Le ta bëjmë sportin pjesë të përditshmërisë sonë, jo vetëm gjatë kësaj jave, por çdo ditë”, shkruan Gonxhja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme