Ministri Gonxhja: Së shpejti nis restaurimi i shtëpisë së Faik Konicës në Greqi

Kulturë | 42 minuta më parë

Shtëpia ku lindi rilindasi, diplomati dhe shkrimtari i shquar shqiptar Faik Konica në fshatin Konicë të Greqisë do të restaurohet pas vitesh degradimi dhe harrese.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja , pas një takimi me ministren greke të Kulturës, Lina Mendoni, në Bashkinë e Prespës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja njoftoi se projekti do të nisë së shpejti, ndërsa pala greke ka konfirmuar statusin historik të objektit dhe sigurimin e fondeve për restaurimin.

Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u shpreh “Në Bashkinë e Prespës, në Greqi, së bashku me ministren greke të Kulturës, Lina Mendoni, dhe ambasadoren e Shqipërisë, Luela Hajdaraga, diskutuam forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trashëgimisë kulturore dhe artit. Së shpejti nisin punimet për restaurimin e banesës së Faik Konicës, në fshatin Konicë në Greqi. Ky është një lajm i rëndësishëm për trashëgiminë dhe për ruajtjen e kujtesës së një prej figurave më të shquara të mendimit, letërsisë dhe diplomacisë sonë.”

Ministri bëri të ditur se autoritetet greke kanë ndërmarrë tashmë hapat e nevojshëm institucionalë për mbrojtjen dhe restaurimin e objektit.

“Ministria e Kulturës e Greqisë ka konfirmuar se banesa ka fituar statusin e objektit me vlerë historike dhe kulturore dhe se janë siguruar fondet për restaurimin e saj. E falënderova homologen greke për përgjigjen konkrete dhe për angazhimin në mbrojtjen e kësaj pasurie. Ky është një rezultat i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe respektit mes dy vendeve tona, që i jep trashëgimisë kulturore vendin që meriton në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë,” deklaroi Gonxhja.

Njoftimi vjen pas interesimit të vazhdueshëm për gjendjen e banesës së Faik Konicës, e cila prej vitesh ishte lënë në degradim. Restaurimi i saj synon jo vetëm ruajtjen e vlerave historike, por edhe kthimin e objektit në një pikë referimi për kujtesën kombëtare shqiptare.

Gjatë takimit në Prespë, dy ministrat diskutuan edhe një sërë projektesh të tjera të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore.

Një nga temat kryesore ishte avancimi i marrëveshjes për rikthimin në Shqipëri të dy objekteve arkeologjike të zbuluara në Butrint, të sekuestruara në Greqi që prej vitit 2002.

“Në fokus të takimit ishte avancimi i marrëveshjes për rikthimin në Shqipëri të dy objekteve arkeologjike nga Butrinti, të sekuestruara në Greqi që prej vitit 2002, dhe forcimi i bashkëpunimit kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore,” tha ministri.

Një tjetër projekt i diskutuar mes palëve lidhet me restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam dhe pikturave murale të saj.

“Diskutuam gjithashtu për një mbështetje nga pala greke për restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam dhe pikturave të saj murale,” u shpreh Gonxhja.

Bisedimet u fokusuan edhe te zgjerimi i Memorandumit të Bashkëpunimit të vitit 2022 ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë kërkime dhe gërmime arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit, restaurimin e ikonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe programe të përbashkëta trajnimi për specialistët shqiptarë.

“Një vëmendje e veçantë iu kushtua zgjerimit të Memorandumit të Bashkëpunimit të vitit 2022, për të përfshirë kërkimet dhe gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit, restaurimin e ikonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe organizimin e trajnimeve profesionale për restauratorët në Selanik,” theksoi ai.

Sipas ministrit, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Greqisë do të shtrihet edhe në fushën e artit bashkëkohor përmes shkëmbimeve kulturore mes institucioneve artistike të dy vendeve.

“Në fushën e artit dhe kulturës bashkëkohore, diskutuam mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet teatrove dhe operave kombëtare të dy vendeve, përmes shkëmbimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta. Një partneritet që forcon lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke e kthyer trashëgiminë dhe artin në ura bashkëpunimi, zhvillimi të qëndrueshëm dhe afrimi mes komuniteteve tona,” përfundoi Gonxhja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme