Ministrja Sala prezanton planin 2026–2030 për përfshirjen sociale: Ligji i ri për aksesueshmërinë sjell barazi reale për personat me aftësi të kufizuara

Arsim | 7 muaj më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi një takim me Këshillin Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar për të diskutuar dy nisma kyçe: Ligjin e ri për Aksesueshmërinë dhe Planin Kombëtar të Veprimit 2026–2030. Të dyja dokumentet, të përafruara me standardet e Bashkimit Europian, synojnë të rrisin përfshirjen dhe të përmirësojnë jetën e personave me aftësi të kufizuara.

Gjatë takimit, Sala theksoi se kjo kategori mbetet në fokus të politikave qeveritare, duke e konsideruar barazinë dhe dinjitetin si elementë thelbësorë për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Ajo vuri në dukje rëndësinë e rolit të Këshillit si një urë lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit, për të garantuar politika reale dhe të zbatueshme.

Në lidhje me ligjin e ri, ministrja nënvizoi se ai synon të vendosë standarde konkrete për akses në çdo aspekt të jetës publike, nga infrastruktura te shërbimet dhe teknologjia. Sipas saj, sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë, që kërkon bashkëpunim të gjerë institucional dhe shoqëror.

Ndërkohë, Plani i Veprimit 2026–2030 synon të kalojë nga garancitë formale drejt rezultateve konkrete, duke u fokusuar në pavarësinë e jetesës dhe përfshirjen në fusha si arsimi, punësimi dhe vendimmarrja.

Sala ndaloi edhe te pjesëmarrja në zgjedhje, duke vlerësuar përdorimin e fletëve të votimit në Braille si një hap pozitiv për votimin e pavarur të personave që nuk shohin, por shtoi se kërkohen ende ndryshime ligjore për të ofruar më shumë alternativa.

Përfaqësuesit e Këshillit paraqitën sugjerimet e tyre për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe zbatimin e tij, të cilat pritet të merren në konsideratë në hartimin e politikave të ardhshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme