Miratohet marrëveshja Interreg Europe, Shqipëria përfiton fond për bujqësinë dhe agroturizmin
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për programin Interreg Europe 2021–2027 mes Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian.
“Zona gjeografike është përcaktuar nga Komisioni Evropian, në momentin kur është bërë programi i IPA 2, institucionet shqiptare insistojnë që ta zgjerojnë në këtë zonë gjeografike, ku do jetë Dibra që të përfshihet dhe Kosova, por edhe Shkodra”, tha Drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit, Klajdi Demko.
Drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit, Klajdi Demko, tha se marrëveshja i hap rrugë Shqipërisë për të përfituar fonde IPA për projekte bashkëpunimi ndër rajonal dhe shkëmbim praktikash evropiane. Sipas tij, deri tani 38 institucione publike shqiptare janë përfshirë në projekte Interreg Europe me një vlerë totale 3.7 milionë euro.
“Për herë të parë po bëhemi pjesë e këtij programi dhe po hartojmë dhe zbatojmë projekte të përbashkëta me Gjermaninë, Francën dhe po adresojmë sfidat e përbashkëta. Përfituesit e këtij programi janë 38 institucione publike shqiptare”, tha Demko.
Relatori i projektligjit, deputeti Ornaldo Rakipi, theksoi se ky ligj forcon bazën ligjore për përfitimin e projekteve evropiane, veçanërisht në sektorë si bujqësia dhe agroturizmi.
“Për Shqipërinë pjesëmarrja në këtë program përfaqëson një mundësi për të përfituar nga përvojat më të mira evropiane dhe t’i sjellim ato në kontekstin e politikave vendore”, tha Rakipi.
Programi Interreg Europe ka një buxhet total prej 493 milionë eurosh dhe Shqipëria pritet të përfitojë rreth 2 milionë euro gjatë periudhës së zbatimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





