Monitorohen shkollat e kopshtet në Korçë, në fokus kushtet higjieno-sanitare dhe vaksinimi
Ka nisur monitorimi i institucioneve parashkollore dhe shkollore nga Shërbimi i Higjienës pranë NJVKSH Korçë me fokus në gjendjen fizike dhe kushtet higjieno-sanitare të tyre. Deri më tani janë kontrolluar rreth 19 institucione nga 44 në total në bashkitë Korçë, Maliq dhe Pustec.
“Gjatë gjithë kësaj jave që kemi filluar, janë monitoruar 10 shkolla dhe 9 kopshte. Janë hasur disa problematika të vogla, por janë lënë detyrat përkatëse për rregullimin e tyre”, u shpreh Alvi Naumi, Shef i Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Higjienës.
Paralelisht kontrollohet edhe statusi i vaksinimit të fëmijëve.
“Nuk janë hasur problematika të mëdha. Zakonisht janë hasur problematika në dokumentimin e vaksinimit. Megjithatë, dy ekipe nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë, duke përfshirë edhe promocionin, po bëjnë evidentimin në terren. Apelojmë prindërit që të kontrollojnë me kujdes dokumentacionin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, në rast të dozave të munguara, të kontaktojnë mjekun e familjes ose shërbimin përkatës të vaksinimit pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë”, tha ai.
Kontrollet do të vijojnë në të gjitha shkollat dhe kopshtet në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë për tu siguruar që nxënësit edukohen në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





