Mungon shërbimi psiko-social në shkolla – Raporti i KLSH-së konstaton problematika kryesisht në zonat rurale
Shumë shkolla në zonat rurale vuajnë mungesën e shërbimit psiko-social. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas një auditimi të kryer në të gjitha institucionet arsimore në vend, evidenton arsyet e mungesës së këtij shërbimi.
“Ka disa arsye që një pjesë e shkollave nuk mbulohen me staf psiko-social. E para është problematika në rekrutimin e këtij stafi që çon edhe në mungesë të tij. Largësia e shkollave pasi janë distanca shumë të largëta dhe kjo e bën më të vështirë”, u shpreh specialistja.
Një tjetër konstatim i KLSH-së është se në gjysmën e shkollave në vend mungojnë ambientet e dedikuara për ofrimin e këtij shërbimi. Edhe në rastet kur kabinetet janë ngritur, rezulton se ato janë të papërshtatshme.
Raporti ka evidentuar gjithashtu mungesën e punonjësve socialë për fëmijët me aftësi të kufizuara.
“Në bazën ligjore përcaktohet që në çdo shkollë aty ku ka më shumë se 10 nxënës të cilët janë me aftësi të kufizuar është i nevojshëm që të rekrutohetr një staf shtesë. Nga auditimi ka rezultuar se ky shërbim jo në të gjitha rastet mbulohet me personel”, tha ajo.
Pas gjetjeve nga auditimi, KLSH ka lënë një sërë rekomandimesh. Institucioneve arsimore u është lënë një vit kohë për të përmbushur të gjitha mangësitë e konstatuara në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





