NASA teston observatorin Rubin, zbulohen mbi 2,000 asteroide, përfshirë edhe 7 pranë Tokës

Kuriozitete | 1 vit më parë

I vendosur në majën Cerro Pachón të Andeve kiliane, Observatori inovativ Vera C. Rubin ka kapur imazhet e para gjatë testimit, duke regjistruar dritën e miliona yjeve dhe galaktikave me një saktësi dhe shkallë të paparë më parë. I financuar nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës dhe Departamenti Amerikan i Energjisë, ky observator i teknologjisë së lartë pritet të revolucionarizojë mënyrën se si studiojmë universin.

Ndër arritjet e para mbresëlënëse është identifikimi i 2,104 asteroidëve, përfshirë 7 afër Tokës, të cilët nuk ishin parë më parë. Sipas shkencëtarëve, asnjë prej tyre nuk paraqet rrezik për planetin tonë.

Me një dizajn unik të pasqyrës dhe një kamerë ultra të ndjeshme, Rubin do të jetë në gjendje të zbulojë miliona asteroide dhe kometa vetëm në dy vitet e para të operimit. Kapaciteti i tij për të marrë mijëra imazhe çdo natë, e bën atë mjetin më të avancuar për të dalluar objekte të vogla dhe të zbehta që lëvizin nëpër sistemin tonë diellor.

Ndërkohë, ekipi publikoi një mozaik spektakolar të mjegullnajave Trifide dhe Lagoon, zona të formimit të yjeve të vendosura në konstelacionin e Shigjetarit. Mozaiku u krijua nga 678 imazhe të mbledhura në vetëm shtatë orë dhe zbulon detaje të padukshme më parë, si retë e gazit dhe pluhurit të ndritshëm.

“Qielli i natës duket si një film në lëvizje,” – tha Dr. Sandrine Thomas, shkencëtare e projektit të teleskopit. Ndërsa profesor Aaron Roodman shtoi: “Rubin do të zbulojë miliona objekte në ndryshim çdo natë, duke hapur një epokë të re në zbulimin astronomik.”

Observatori pritet të fillojë vëzhgimet e para shkencore më 4 korrik, duke përfituar nga pozicioni i tij në Hemisferën Jugore për të pasur një pamje të qartë të Rrugës së Qumështit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme