Natyra e parkut të Viroit, një pikë ndalimi për rulotat turistike

Aktualitet | 5 muaj më parë

Pranvera ka rikthyer gjallërinë në Parkun e Viroit në Gjirokastër, ku turistët me rulota po bëhen gjithnjë e më të pranishëm.

Ky destinacion natyror tërheq vizitorë të shumtë për shkak të peizazhit të qetë, ajrit të pastër dhe mundësisë për të qëndruar pranë natyrës. Shumë udhëtarë zgjedhin të ndalojnë pikërisht këtu për të shijuar bukuritë që ofron zona.

Ndër turistët janë edhe Jolanda dhe Frans Koopman nga Holanda të cilët këtë fundjavë e kaluan pranë Parkut të Viroit. Ata kanë ndërmarrë një udhëtim të gjatë me rulotën e tyre, duke përshkuar disa vende të Evropës, dhe kanë zgjedhur Shqipërinë si një nga ndalesat e tyre kryesore.

“Ne jemi këtu në Shqipëri prej katër ditësh. Do të qëndrojmë edhe katër ose pesë ditë të tjera, sepse po udhëtojmë drejt Greqisë. Kemi ardhur nga Spanja. Udhëtojmë shumë. Kemi udhëtuar me autokamp. Ky park duket shumë interesant , po na pëlqen shumë”.

“Ne zgjodhëm të qëndrojmë me autokamp gjatë këtij udhëtimi. Kjo është hera e tretë që vijmë në Shqipëri. Para rreth 10–15 vitesh kemi qenë këtu për herë të parë. Më pas kemi ardhur edhe një herë tjetër. Kemi parë të gjitha ndryshimet në Shqipëri dhe është një vend shumë i bukur. Tani po qëndrojmë në këtë park por po vizitojmë të gjithë qytetin.”

Çifti tashmë po viziton Gjirokastër, duke u njohur me historinë dhe kulturën e qytetit. Ata shprehen të mahnitur nga mikpritja dhe bukuritë natyrore të zonës, duke e cilësuar këtë përvojë si një nga më të veçantat gjatë udhëtimit të tyre.

 “Ne bëmë një xhiro me biçikleta dhe shkuam në qytet. Ishte shumë e bukur Gjirokastra, por nuk e dinim që ishte kaq vend malor. Me biçikleta ishte shumë, shumë e vështirë. Të gjithë na shikonin sikur mezi mbijetuam, sepse rrugët janë shumë të pjerrëta për ti ngjitur me biçiklet. Ishim afër kalasë na pëlqeu shumë pamja e mrekullueshme nga aty  ishte shumë, shumë bukur.“

“Kjo është hera e parë që vizitojmë jugun e Shqipërisë. Kur erdhëm për herë të parë, rreth 15 vite më parë, ishte shumë më e vështirë të udhëtoje në Shqipëri. Rrugët ishin të ngushta dhe trafiku ishte i çrregullt. Tani është shumë më mirë. Rrugët janë më të mira dhe më të gjera.Temperaturat në verë na duken shumë të larta. Në korrik dhe gusht është shumë vapë për ne. Kështu që këtë periudhë të vitit e kemi më të përshtatshme për të udhëtuar.”

Në një kohë kur gjithnjë e më shumë turistë kërkojnë qetësi, natyrë dhe eksperienca autentike larg zhurmës së destinacioneve të mbipopulluara, Parku i Viroit po kthehet në një ndalesë të preferuar për udhëtarët me rulota.

Bukuritë natyrore, hapësirat e gjera dhe atmosfera relaksuese e bëjnë këtë zonë një zgjedhje ideale për pushime ndryshe. Ndërsa vizitorë nga vende të ndryshme të Evropës vazhdojnë të zbulojnë jugun e Shqipërisë, Gjirokastra po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si një destinacion turistik i veçantë, që kombinon natyrën, kulturën dhe mikpritjen.

Gazetare: B. Pëllumbi 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme