Ndotja e ajrit, faktori i dytë kryesor që çon në vdekje: 2 mijë fëmijë humbin jetën çdo ditë

Botë | 2 vite më parë

Rreth 2 mijë fëmijë të moshës nën pesë vjeç vdesin çdo ditë nga probleme shëndetësore, që kanë lidhje me ndotjen e ajrit. Kjo sipas raportit më të fundit të publikuar nga Instituti amerikan për Ndikimet në Shëndet.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit ka kontribuar në vdekjen e 8,1 milionë personave në 2021, shkruhet në raport.

Ndotja e ajrit tashmë ka lënë pas përdorimin e duhanit dhe dietën e varfër ushqimore, duke u bërë faktori i dytë kryesor që çon në humbje jete, pas hipertensionit. Fëmijët e vegjël, ndërkohë, janë më të ndikuarit nga ndotja e ajrit dhe  më shumë se 700 mijë të vegjël nën moshën pesë vjeç humbën jetën nga kjo ndotje në 2021-in.

Më shumë se 500 mijë prej tyre, shumica në Afrikë dhe Azi, humbën jetën për shkak të përdorimit të karburanteve, si qymyri, për të gatuar në ambientet e brendshme të banesave.

Në raport shkruhet se gati çdo person në botë çdo ditë thith nivele të pashëndetshme ajri të ndotur.

Mbi 90 për qind e vdekjeve kishin lidhje me grimca të vogla ndotësish, që transportohen nga ajri me përmasa më të vogla se 2.5 mikrometra. Thithja e këtyre grimcave ka çuar në rritjen e rasteve të kancerit të mushkërive, sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe problemeve të tjera shëndetësore. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme