Ndryshime në pronësinë shtetërore- Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë merr në administrim ish-Gjykatën e Apelit

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm që ndryshon përgjegjësinë e administrimit të pronës me emërtimin “Gjykata e Apelit, Vlorë” nga Ministria e Drejtësisë, duke ia kaluar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, specifikisht Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.
Ky vendim synon të mbështesë veprimtarinë e arsimit të lartë dhe të garantojë përmbushjen e misionit të universitetit.
Pronësia e ish-Gjykatës së Apelit, Vlorë, e ndodhur në zonën kadastrale 8603, Vlorë, tashmë do t’i shërbejë nevojave akademike. Ky veprim vjen në mbështetje të ligjit “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit.
Si pasojë e këtij vendimi, prona e ish-Gjykatës së Apelit hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore që i bashkëlidhet vendimit nr.1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, i cili rregullonte kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të trojeve dhe ndërtesave të gjykatave.
Megjithatë, vendimi specifikon se zyrat e shërbimit dhe zyrat e arkivit gjyqësor të ish-Gjykatës së Apelit Vlorë do t’i jepen në përdorim, pa shpërblim, Këshillit të Lartë Gjyqësor. Këto ambiente do të funksionojnë si pika informacioni për qytetarët, duke siguruar që një pjesë e pronës të vazhdojë të shërbejë interesit publik në fushën e drejtësisë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor do të lidhin marrëveshje për kushtet e përdorimit të këtyre ambienteve.
Ndalesa për ndryshimin e destinacionit
Vendimi thekson se Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë u ndalohet rreptësisht të ndryshojnë destinacionin e pronës së paluajtshme, ta tjetërsojnë apo t’ua japin atë në përdorim të tretëve.
Kjo masë siguron që prona të shërbejë vetëm për qëllimin e përcaktuar të arsimit të lartë.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





