Nesër konkursi i Arkitekturës, dekani Vokshi: Këtë vit më shumë kërkesa për këtë degë
Kandidatët për studentë që synojnë Arkitekturën do t’i nënshtrohen nesër konkursit të pranimit.
Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Armand Vokshi, në një intervistë për RTSH sqaron se këtë vit ka pasur një rritje të kërkesave krahasuar me një vit më parë për t’u regjistruar në këtë institucion të arsimit të lartë.
“Sivjet kemi pasur rreth 400 të regjistruar në testin e pranimit, diku te 3.300 kërkesa për fakultetin tonë, por 400 janë regjistruar për të ardhur ditën e nesërme. Nga këto 400, faktikisht, janë 95 kuota të lira në Arkitekturë, 50 kuota të lira në Urbanistikë dhe 30 në Dizajn,” tregon z. Vokshi.
Testimi do të zhvillohet për tri programe të këtij fakulteti: Arkitekturë, Urbanistikë dhe Dizajn, por kërkesa më e madhe është për Arkitekturën.
“Kemi një rritje, diku te 50 kuota më shumë sesa ç’kemi pasur vjet. Tendenca është që të shkojnë drejt Arkitekturës të gjithë, por normalisht dhe Urbanistika është aty afër. Nuk ka një ndarje me thikë mes të dyjave në profesion, sepse pasi diplomohen, kur dalin në jetë, si profili urbanist, ashtu edhe arkitekt, kanë mundësi të bëjnë të gjitha llojet e projekteve. Kështu që i shtyjmë studentët të mos seleksionojnë njërën apo tjetrën, por të kenë mundësi të marrin atë që u paraqitet,” thotë dekani i fakultetit.
Testi përmban 60 pyetje. Ai do të zgjasë dy orë dhe maturantët do të testojnë njohuritë e tyre në katër drejtime të caktuara.
“Është një test i cili bëhet me pika, me përgjigjet gati. Janë katër drejtime që ne kemi tendencën t’i testojmë: së pari, kultura e përgjithshme, që ka të bëjë me informacionin e përgjithshëm, historik, të ndodhive të ndryshme; e dyta ka të bëjë me profesionin, me historinë e artit dhe të arkitekturës. Normalisht që ata nuk e kanë studiuar këtë gjë më përpara, por përderisa kanë pasur një tendencë për të ardhur në fakultetin tonë, ndoshta kanë qenë të interesuar për të ditur vepra të ndryshme që mund të jenë në Shqipëri apo jashtë. E treta është një test logjik, që ka të bëjë me logjikën, me atë që nuk mësohet dot, por që secili e ka brenda mendësisë së vet, për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme; dhe e katërta ka të bëjë me vizatimin, me gjeometrinë deskriptive,” shprehet ai.
Testimi përkthehet me 60% të totalit të pikëve, ndërsa 40% e pikëve i merr mesatarja e tri viteve të shkollës së mesme dhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore.
Përllogaritjet përfundimtare bëhen në fund të muajit gusht, ku çdo maturant njihet me renditjen përfundimtare dhe sheh pozicionin në listë, si dhe mundësitë që ka për t’u klasifikuar fitues.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





